Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri reagoi sot lidhur me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit.
Në një deklaratë zyrtare, ambasada thekson se Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me aspiratat e popullit shqiptar. Sipas saj, një ndër kushtet kryesore për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.
Ambasada nënvizon se pret që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të mund të veprojë shpejt dhe pa pengesa. Gjithashtu, theksohet se politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar që ky proces të zhvillohet pa ndërhyrje dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Më herët për këtë çështje kanë reaguar edhe Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit.

/Argumentum.al





























































