Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë u shpreh të premten që Kina i kërkon ShBA-së të ndreqë gabimin dhe të kthehet në rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve.
Ai i tha këto duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me faktin që Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të ShBA-së njoftoi ditët e fundit se do të nisë një hetim sipas Seksionit 301 ndaj 16 ekonomive, duke përfshirë Kinën, për arsye të “mbikapacitetit”.
Kina e ka vënë re vendimin e palës amerikane, theksoi zëdhënësi, dukes shtuar që hetimi sipas Seksionit 301 është një veprim i njëanshëm tipik, i cili dëmton rëndë rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar.
Ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) ka gjykuar prej kohësh që tarifat e vendosura në bazë të hetimit sipas Seksionit 301 shkelin rregullat e OBT-së, tha zëdhënësi, duke vënë në dukje se Kina e ka përsëritur shumë herë qëndrimin e vet për argumentin e “mbikapacitetit” të shprehur prej palës amerikane.
“Ekonomia botërore ka qenë prej kohësh një tërësi e integruar, dhe prodhimi e konsumi janë globalë nga natyra, duke kërkuar përputhje e përshtatje të ofertës dhe kërkesës globale. Nëse prodhimi i secilit vend mund të përmbushet vetëm me kërkesën e tij të brendshme, nuk do të kishte tregti ndërkufitare,” u shpreh zëdhënësi.
ShBA-ja nuk ka të drejtë të përcaktojë në mënyrë të njëanshme nëse partnerët tregtarë kanë “mbikapacitet” nëpërmjet hetimit sipas Seksionit 301, duke vendosur masa kufizuese të njëanshme, shtoi ai./cgtn





























































