Në datat 22-25 mars, me ftesë të zv-presidentit të Kenias, Kithure Kindiki, zv-presidenti i Kinës Han Zheng zhvilloi një vizitë në Kenia. Në Nairobi, ai u takua me Presidentin e Kenias, William Samoei Ruto. Gjithashtu mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Forumin e Biznesit Kinë-Kenia dhe në Ekspozitën e Mallrave Keniane që eksportohen në Kinë me tarifë zero.
Gjatë takimit të tij me Presidentin Ruto, Han Zheng i përcolli përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të Presidentit Xi Jinping. Han Zheng deklaroi se që nga vendosja e lidhjeve diplomatike mes Kinës dhe Kenias, përgjatë 60 viteve të fundit marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur vazhdimisht nivele të reja. Prillin e kaluar, Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Ruto vendosën së bashku të ndërtojnë një komunitet Kinë-Kenia me një të ardhme të përbashkët në epokën e re, duke hartuar një plan të ri për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Kenia. Kina është e gatshme të punojë me Kenian për të zbatuar konsensusin e arritur nga krerët e dy shteteve dhe rezultatet e Samitit të Pekinit të Forumit për Bashkëpunim Kinë-Afrikë, duke i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit Kinë-Kenia.
Han Zheng falënderoi Kenian për mbështetjen e fortë në çështje që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të Kinës, siç është Tajvani, dhe deklaroi se Kina do të vazhdojë ta mbështesë fort Kenian në mbrojtjen e sovranitetit të saj kombëtar, sigurisë dhe interesave të zhvillimit. Të dyja palët duhet të zgjerojnë bashkëpunimin pragmatik me cilësi të lartë, si dhe të shfrytëzojnë sa më mirë zbatimin e plotë nga Kina të masave me tarifa zero ndaj 53 vendeve afrikane me të cilat ka marrëdhënie diplomatike, të cilat hyjnë në fuqi më 1 maj, dhe të përshpejtojnë progresin e përbashkët të Kinës dhe Kenias drejt modernizimit.
Kina vlerëson mbështetjen e Kenias për konceptet dhe nismat kryesore të propozuara nga Kina dhe është e gatshme të punojë me Kenian për të promovuar zhvillimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë dhe të barabartë, tha Han.
Ruto i kërkoi Han Zhengut t’i përcjellë përshëndetjet dhe urimet e tij më të mira Presidentit Xi Jinping, duke deklaruar se Kenia gjithmonë i është përmbajtur parimit të një Kine, mbështet nismat globale të propozuara nga Presidenti Xi Jinping dhe është e gatshme ta marrë zbatimin e plotë të politikës së tarifave zero, si një mundësi për të forcuar harmonizimin e strategjive të zhvillimit me Kinën, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe për të arritur përfitime të ndërsjella dhe rezultate të favorshme për të dyja palët./cgtn





























































