Kina dhe Franca, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbajnë përgjegjësinë e rëndësishme në mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ndërkombëtar, tha të premten Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi.
Wang Yi i tha këto gjatë takimit në Pekin me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Presidentit Francez.
Wang Yi u shpreh se në sfondin e trazirave globale, është e nevojshme që Kina dhe Franca të forcojnë komunikimin dhe koordinimin strategjik, të përballojnë së bashku sfidat globale dhe ta promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Francë.
Ai theksoi se themeli i marrëdhënieve Kinë-Francë qëndron në besimin e ndërsjellë politik dhe në respektin e ndërsjellë për interesat thelbësore të njëra-tjetrës. Ai shprehu shpresën se Franca do t’i përmbahet parimit të një Kine dhe nuk zhvillon asnjë kontakt zyrtar me autoritetet e Tajvanit për të shmangur dërgimin e sinjaleve të gabuara tek forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”.
Wang Yi vuri në dukje se Kina dhe Evropa janë gjithmonë partnere dhe jo rivale, ai shpreson se Franca do të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv në inkurajimin e BE-së për ta njohur Kinën në mënyrë racionale dhe për të zbatuar një politikë praktike dhe të hapur ekonomiko-tregtare me Kinën.
Nga ana e tij, Emmanuel Bonne u shpreh se Franca e kupton plotësisht rëndësinë dhe ndjeshmërinë e problemit të Tajvanit, i përmbahet politikës së një Kine dhe nuk do ta ndryshojë qëndrimin në këtë çështje.
Franca pret ta forcojë bashkëpunimin me Kinën për të gjetur një zgjidhje konstruktive për krizat globale, tha ai, duke shtuar se duke marrë parasysh situatën aktuale ndërkombëtare, ka rëndësi të madhe të ruhet dialogu dhe bashkëpunimi midis Evropës dhe Kinës.
Emmanuel Bonne theksoi se BE ka nevojë për Kinën dhe shpreson të bëhet një partnere e besueshme e Kinës. Ai shtoi se Franca është e gatshme të luajë një rol aktiv në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit BE-Kinë.
Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu mendime për qeverisjen ekonomike globale, situatën në Lindjen e Mesme etj./cgtn



























































