Të enjten pasdite, kryeministri kinez Li Qiang u takua në Pekin me përfaqësues të qarqeve amerikane të biznesit që po e shoqërojnë presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës në Kinë. Në takim morën pjesë drejtues të kompanive “Apple”, “Nvidia”, “Meta”, “Tesla”, “Boeing”, “Citigroup”, “Goldman Sachs”, “Qualcomm”, “Visa”, “Mastercard”, “Blackstone” etj., si edhe të Bursës së Nju-Jorkut.
Gjatë takimit, Li Qiang-u u shpreh që, në sfondin e situatës së paqëndrueshme ndërkombëtare, ruajtja e dialogut dhe e kontakteve të sinqerta duke mbrojtur marrëdhëniet e qëndrueshme midis Kinës dhe ShBA-së, jo vetëm ka rëndësi të madhe për dy vendet, por edhe do t’i sjellë siguri e energji çështjes së paqes dhe zhvillimit global.
Kryeministri Li theksoi më tej që marrëdhëniet e qëndrueshme ekonomiko-tregtare kino-amerikane përputhen me interesat e të dy vendeve dhe të botës. Forcimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis Kinës dhe ShBA-së jo vetëm do t’u sjellë të dy vendeve përfitime të përbashkëta, por edhe do të nxitë rritjen ekonomike botërore. Një ekonomi kineze në zhvillim të qëndrueshëm do t’u japë sipërmarrjeve të vendeve të ndryshme, duke përfshirë ato amerikane, më shumë mundësi, u shpreh kreu i qeverisë kineze, duke shtuar që Kina mirëpret më shumë sipërmarrje të huaja të shfrytëzojnë mundësitë e tregut kinez dhe se hapja me botën e jashtme është politika e përhershme e qeverisë kineze.
Li Qiang-u shprehu po ashtu shpresën që më shumë sipërmarrje amerikane do të zhvillojnë biznes në tregun kinez, duke u bërë njëkohësisht ura e shkëmbimeve dhe dialogut midis dy vendeve e duke i nxitur qarqet e ndryshme amerikane ta trajtojnë siç duhet zhvillimin e Kinës, për të promovuar besimin e ndërsjellë midis Kinës dhe ShBA-së.
Përfaqësuesit e qarqeve amerikane të biznesit u shprehën se marrëdhëniet ShBA-Kinë kanë rëndësi të madhe dhe takimi i suksesshëm midis dy krerëve të shtetit do t’i sjellë bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dypalësh energji të reja, duke ofruar siguri për ekonominë botërore. Qarqet amerikane të biznesit janë optimiste për perspektivën e zhvillimit të Kinës dhe e admirojnë Kinën për nxitjen e vazhdueshme të hapjes me botën e jashtme në nivel të lartë, duke krijuar një mjedis biznesi të nivelit botëror. Ata shprehën gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Kinën, duke rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve./cgtn



























































