Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se mungesa e Ligjit për Vlerat e Luftës po krijon hapësirë që kushdo të flasë në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa përsëriti se flamuri dhe emblema e UÇK-së nuk duhet të përdoren në protesta apo fushata politike në Kosovë e as në Shqipëri.
Gucati në një konferencë për media, u përball me pyetje të gazetarëve lidhur me deklaratat e zyrtarëve në Shqipëri për ish-pjesëtarët e UÇK-së, përdorimin e flamurit të UÇK-së në protesta dhe mungesën e reagimeve të OVL-UÇK-së.
Lidhur me përdorimin e flamurit të UÇK-së në protesta dhe aktivitete politike, Gucati tha se vazhdimisht ka kërkuar që ai të mos përdoret.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në protesta politike në Shqipëri, pasi ato janë çështje të brendshme të atij shteti.
Po ashtu, ai shtoi se ndihma për Shqipërinë do të ishte obligim vetëm në rast se vendi përballet me një kërcënim të jashtëm.
I pyetur për Dritan Goxhajn, Gucati deklaroi se ai nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Gucati theksoi se problemi kryesor mbetet mungesa e Ligjit për Vlerat e Luftës, duke thënë se pa këtë ligj nuk ka bazë ligjore për të penguar keqpërdorimin e emrit dhe simboleve të UÇK-së.
Ai bëri të ditur se projektligji është dorëzuar disa herë në institucionet e Kosovës, por nuk është miratuar, ndërsa paralajmëroi se veteranët do të organizojnë protesta për miratimin e tij.
Sipas tij, vetëm miratimi i këtij ligji do të mundësonte mbrojtjen ligjore të vlerave të luftës dhe do të kufizonte përdorimin e emrit dhe simboleve të UÇK-së nga persona që, sipas tij, nuk kanë të drejtë të flasin në emër të saj.
/Kosovapress/




























































