Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan sot Kornizën e Bashkëpunimit Shqipëri–Kombet e Bashkuara 2027–2031, duke riafirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe mirëqenien e njerëzve dhe të planetit në të gjithë vendin.
Korniza u nënshkrua nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald, në prani të përfaqësuesve të lartë të Qeverisë dhe të Ekipit të plotë të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar të OKB-së, marrëveshja udhëhiqet nga përparësitë kombëtare dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, përfshirë: Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Udhërrëfyesin Kombëtar të Shqipërisë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm; Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030; procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian; Programin e Reformave Ekonomike 2025–2027; si edhe detyrimet e Shqipërisë sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtat e njeriut, standardet e punës, marrëveshjet mjedisore dhe instrumentet e Këshillit të Evropës. Korniza mbështetet në një Analizë gjithëpërfshirëse të Vendit, në Vlerësimin Përfundimtar të Kornizës së mëparshme të Bashkëpunimit 2022–2026 dhe në konsultime të posaçme me më shumë se 600 aktorë, përfshirë institucionet kombëtare, bashkitë, shoqërinë civile, të rinjtë, gratë, komunitetet rome dhe egjiptiane, personat me aftësi të kufizuara, botën akademike dhe sektorin privat.
Tri fushat e bashkëpunimit
Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara angazhohen të punojnë së bashku në tri fusha prioritare.
- Zhvillimi gjithëpërfshirës i kapitalit njerëzor
Forcimi i qasjes së barabartë në shërbime cilësore shëndetësore, arsimore, të mbrojtjes sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve; zgjerimi i aftësive të nevojshme për të ardhmen dhe i mundësive për punë dinjitoze; si dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, me fokus tek ata që janë më të rrezikuar për të mbetur pas.
- Transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër gjithëpërfshirëse
Rritja e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe krijimit të vlerës përmes modeleve të gjelbra dhe digjitale të biznesit; mbështetja për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, transformimin e sektorit agroushqimor dhe zhvillimin rezistent ndaj ndryshimeve klimatike; si dhe nxitja e një tranzicioni ekonomik gjithëpërfshirës, të ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

- Qeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut
Forcimi i institucioneve efektive, transparente dhe llogaridhënëse; zgjerimi i qasjes në drejtësi dhe në ndihmë juridike; garantimi i të drejtave të njeriut dhe i barazisë gjinore; lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit kibernetik; si dhe sigurimi i një qeverisjeje të migracionit dhe diasporës që është e sigurt, e rregullt dhe e bazuar në të drejta.
Duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga cikli 2022–2026, Korniza e re e Bashkëpunimit konsolidon katër rezultate dhe 22 produkte në tri rezultate strategjike dhe 11 produkte, duke qartësuar kontributin e përbashkët të Kombeve të Bashkuara, duke reduktuar fragmentimin dhe duke forcuar koherencën ndërmjet të 20 entiteteve pjesëmarrëse për periudhën 2027–2031. Parimi “Të mos lëmë askënd pas” zbatohet si një qasje praktike në të tri fushat prioritare, përmes monitorimit të përqendruar te barazia, të dhënave të disagreguara dhe mbështetjes së synuar për komunitetet rome dhe egjiptiane, popullsinë rurale, personat me aftësi të kufizuara, të rinjtë, migrantët dhe grupet e tjera të margjinalizuara.
Korniza e Bashkëpunimit ka një vlerë të parashikuar burimesh prej rreth 227 milionë dollarësh amerikanë për periudhën 2027–2031 dhe përfshin 20 entitete nënshkruese të Kombeve të Bashkuara. Deri më 1 qershor 2026 janë siguruar rreth 84 milionë dollarë amerikanë. Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare, partnerët dypalësh, shoqëria civile dhe sektori privat janë pjesë thelbësore e këtij partneriteti. Fondi i Përshpejtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri, i bashkëdrejtuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara përmes Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv, do të shërbejë si një platformë qendrore për programimin e përbashkët dhe të integruar.
“Nënshkrimi i Kornizës së Bashkëpunimit Shqipëri–Kombet e Bashkuara 2027–2031 riafirmon partneritetin tonë të fuqishëm me Kombet e Bashkuara në një fazë vendimtare të zhvillimit të vendit dhe të rrugëtimit të tij drejt integrimit evropian. Kjo Kornizë do të mbështesë përparësitë tona kombëtare dhe agjendën e reformave, duke siguruar njëkohësisht që përparimi të sjellë përfitime konkrete për njerëzit, komunitetet dhe brezat e ardhshëm në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Albana Koçiu, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë.
Ingrid Macdonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri tha se “kjo Kornizë Bashkëpunimi pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për një Shqipëri gjithëpërfshirëse, të begatë dhe të përqendruar te njerëzit dhe planeti – ku fëmijët mësojnë dhe zhvillohen, të rinjtë fitojnë aftësitë e nevojshme për ekonomitë e së nesërmes, gratë dhe burrat kanë qasje në mundësi për punë dinjitoze, komunitetet bëhen më rezistente dhe brezat e ardhshëm përfitojnë nga një mjedis i pastër dhe i gjelbër. Kombet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë përkrah Shqipërisë si një partner strategjik në këtë rrugëtim dhe jemi të vendosur të sigurojmë që askush të mos mbetet pas”.
Rreth Kornizës së Bashkëpunimit
Korniza e Bashkëpunimit e Kombeve të Bashkuara është instrumenti kryesor përmes të cilit sistemi i Kombeve të Bashkuara planifikon dhe zbaton mbështetjen e tij për zhvillimin në nivel vendi. Në Shqipëri, Korniza 2027–2031 është në pronësi të përbashkët të Qeverisë dhe Kombeve të Bashkuara, udhëhiqet nga Komiteti i Përbashkët Ekzekutiv, i bashkëdrejtuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Koordinatorja e Përhershme, dhe zbatohet përmes Grupeve të Rezultateve dhe Planeve të Përbashkëta të Punës. Në përfundim të ciklit do të kryhet një vlerësim përfundimtar i pavarur.
/Argumentum.al























































