Pentagoni këtë javë nisi rishikimin e planifikuar të misionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Evropë, një hap që mund të hapë rrugën për një riorganizim të madh të pranisë ushtarake amerikane, ndërsa Uashingtoni synon t’u transferojë aleatëve një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes së NATO-s.
Elbridge Colby, strategu kryesor i Pentagonit, njoftoi fillimin e këtij rishikimi, për të cilin tha se është “projektuar për të siguruar që NATO të ecë shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt marrjes nga Evropa të përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen e saj konvencionale.”
“Rezultati i këtij rishikimi do të jetë përshpejtimi i tranzicionit të NATO-s drejt një aleance më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme,” shkroi Colby në një seri postimesh në platformën X të hënën vonë.
Sipas tij, Gjenerali Alexus Grynkewich, komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) dhe njëkohësisht Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), do të koordinojë procesin së bashku me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e kishte njoftuar këtë rishikim të vendosjes së forcave në muajin qershor, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Ai deklaroi se aleatët do të vlerësohen në bazë të kontributit të tyre, duke theksuar se “disa vende” nuk do ta kalojnë këtë vlerësim, ndërsa të tjera do ta kalojnë “me rezultate të shkëlqyera”.
Rishikimi vjen pas kritikave të Presidentit Donald Trump ndaj disa aleatëve të NATO-s për refuzimin e tyre për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Iranit.
Sipas Hegseth, Pentagoni do të shqyrtojë se cilat vende janë në përputhje me prioritetet strategjike të SHBA-së dhe cilat ofrojnë akses në bazat ushtarake dhe të drejta fluturimi (overflight rights) gjatë operacioneve ushtarake.
Gjatë mandatit të dytë të Presidentit Trump, Pentagoni ka theksuar vazhdimisht se dëshiron që aleatët evropianë të marrin përsipër pjesën më të madhe të mbrojtjes konvencionale të kontinentit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të ruajnë rolin e tyre në kuadër të parandalimit bërthamor të NATO-s.
Rishikimi, i cili pritet të zgjasë deri në gjashtë muaj, do të ofrojë një sërë opsionesh që marrin në konsideratë “realitetet gjeopolitike dhe ushtarake”, tha Colby.
Objektivi kryesor është rikthimi i NATO-s në “karakterin e saj si një organizatë e fuqishme luftarake”, një koncept që ai e quan NATO 3.0.
Një nga faktorët që pritet të ndikojë në analizë është mundësia e shpërthimit të konflikteve të njëkohshme me Kinën dhe Rusinë. Vitin e kaluar, gjenerali Alexus Grynkewich identifikoi vitin 2027 si një moment të mundshëm kritik për një skenar të tillë.
“Do të na duhet çdo pajisje, çdo sistem dhe çdo municion që kemi në dispozicion për ta përballuar këtë,” tha Grynkewich.
Pentagoni nuk ka dhënë ende detaje mbi përmasat e mundshme të reduktimit të trupave amerikane në Evropë, por shkurtimet mund të jenë të konsiderueshme nëse aleatët pritet të zëvendësojnë kapacitetet ushtarake të SHBA-së në kontinent.
Prania ushtarake amerikane në Evropë është reduktuar tashmë gjatë vitit të kaluar. Në tetor, Ushtria Amerikane ndërpreu misionin e brigadës së saj rotacionale në Rumani. Në maj, u anulua vendosja e një brigade të blinduar në Poloni.
Pentagoni ka njoftuar gjithashtu se do të reduktojë me 5.000 numrin e trupave të dislokuara në Gjermani. Një nga njësitë e prekura nga ky vendim ishte një ekip i artilerisë me rreze të gjatë veprimi, i cili ishte planifikuar të dislokohej në Gjermani gjatë vitit 2026.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të dërgojë edhe 5.000 trupa shtesë në Poloni, një vendim që ende nuk është zbatuar.
Për të rritur praninë ushtarake në Poloni, Shtetet e Bashkuara mund të rikthejnë rotacionet e trupave ose të zhvendosin një pjesë të forcave nga Gjermania drejt Polonisë
© 2026 Argumentum




























































