76 % e japonezëve mbështesin respektimin e Tre Parimeve Jobërthamore të Japonisë për moszotërimin, mosprodhimin dhe moslejimin e futjes së armëve bërthamore në territorin e saj, raportoi agjencia e lajmeve “Kyodo News” të dielën, duke cituar një sondazh mbarëkombëtar të opinionit publik.
Po sipas sondazhit, 77 % besojnë që Japonia nuk duhet të synojë ndarjen e armëve bërthamore, një marrëveshje sipas së cilës ShBA-ja mund të vendosë armë bërthamore në Japoni për operacione të përbashkëta.
Si i vetmi vend që ka vuajtur nga bombardimet atomike në luftë, Japonia vazhdon të tregojë ndjenja të forta antibërthamore. Sondazhi nxjerr në pah kundërshtimin ndaj armëve bërthamore, ndërsa po rritet debati mbi rishikimin e parimeve.
Të pyetur në lidhje me vendimin e qeverisë në prill për të hequr ndalimin e saj prej disa dekadash ndaj eksportimit të armëve vdekjeprurëse, 36 % thanë që eksportet duhet të kufizohen në pajisjet jovdekjeprurëse, madje edhe tek aleatët, ndërsa 53 % mendojnë se ndalimi duhet të mbahet ose politika duhet të rishqyrtohet, sipas sondazhit të kryer nga Shoqata Japoneze për Kërkimin e Opinionit Publik.
Sondazhi, me 3 000 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart, u krye në qershor dhe korrik nga organizata kombëtare e sondazheve e formuar nga “Kyodo News” dhe anëtarët e saj./cgtn





























































