Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se konstituimi i plotë i institucioneve duhet të paraprihet nga një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai tha se vazhdimi i diskutimeve me partitë parlamentare është rruga e vetme për të shmangur një krizë të re institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.
Duke folur në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, pas nisjes së seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë, Kurti tha se një konstituim i Kuvendit pa dakordim për çështjen e presidentit do të ishte vetëm një hap drejt shpërndarjes së tij.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi Kurti, duke kërkuar kohë shtesë për dialog politik mes subjekteve parlamentare.
Sipas tij, përvoja e kaluar ka treguar se mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt një cikli të ri zgjedhor. Kurti përmendi faktin se Kosova ka kaluar në tri palë zgjedhje brenda 16 muajve dhe argumentoi se një tjetër proces zgjedhor do të ishte i panevojshëm për shtetin, i kushtueshëm për qytetarët dhe i dëmshëm për ekonominë.
Kurti bëri të ditur se ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke vlerësuar atmosferën dhe konstruktivitetin e këtyre bisedimeve. Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar diskutimet me LDK-në, por u bëri thirrje edhe PDK-së dhe AAK-së që të përfshihen në proces.
“Krijimi i institucioneve nuk është përgjegjësi ekskluzive e fituesit. Na duhet diskutim, komunikim dhe bashkëbisedim”, tha Kurti.
Ai theksoi se ndërsa posti i kryetarit të Kuvendit i takon subjektit fitues, ndërsa qeverinë e formon shumica parlamentare, zgjedhja e presidentit është një përgjegjësi që u përket të gjitha partive parlamentare, pasi dështimi në këtë proces mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja.
Fjala e plotë në konferencën për media në Kuvendin e Republikës së Kosovës:
Të nderuara media,
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Ashtu siç edhe theksuam edhe në nisje të seancës konstituive sot, për legjislaturën e njëmbëdhjetë, duam t’i japim shans vazhdimit të diskutimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje politike apo konsensusi për çështjen e presidentit apo presidentes së re.
Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Në këtë mënyrë dhënia e mundësi e dialogut politik për të arritur marrëveshje është mënyra dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e plotë të institucioneve tona, ashtu siç e do rendi dhe ashtu siç kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e lira e demokratike, ndonëse të parakohshme e të panevojshme të 7 qershorit.
Ne, që nga certifikimi i rezultateve pa humbur kohë kemi dashur t’u japim shans diskutimeve, ashtu siç patën kërkuar partitë tjera pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Por, fatkeqësisht, për shkak të dinamikave dhe zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, diskutimi u suspendua dhe takimin e radhës e patëm tek pardje, që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur një dakordim politik.
Me këtë rast duhet theksuar se përballë kësaj situate, e cila ka përvojë e trashëgimi, konsideroj që është e nevojshme t’i jepet shansi vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim para me konstituimin e Kuvendit, gjë që do të mund ta vështirësonte mandej marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës.
Prandaj, na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime, dhe vetëm atëherë kur të kemi arritur dakordim për çështjen e presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera.
Herën e kaluar e pamë se, pa e zgjidhur çështjen e Presidentit, kot e konstituojmë Kuvendin apo votojmë e formojmë Qeverinë, sepse vendi u desh të shkonte në zgjedhje. Tri palë zgjedhje për 16 muaj: 9 shkurt 2025, 28 dhjetor 2025 dhe 7 qershor 2026.
Të nderuar gazetarë, të dashur qytetarë,
Është e nevojshme dhe e domosdoshme t’i kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e presidentit dhe kur të kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Pra, kur të jemi siguruar se kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët, e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë.
Më lejoni që edhe një herë të urojë të gjithë 120 deputetët. Nuk mungoi asnjëri sot. T’ua uroj dhënien e betimit dhe zgjedhjen deputet të Kuvendit të Republikës, të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Ju dëshiroj gjithë të mirat secilit prej tyre dhe punë të mbarë e suksese në një legjislaturë, e cila nuk do të duhej të ndërpritej për disa javë me shkuarje në zgjedhje të reja, meqë nuk arritëm përsëri të zgjedhim presidentin e na u desh ta shpërndajmë Kuvendin.
E falënderoj në veçanti, për një takim që kemi pasur, kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, për tri takime gjithsej, Lumir Abdixhikun. Për konstruktivitetin, për atmosferën në takime, ku kemi ndarë bashkë sfidat që i ka shteti ynë përpara, dhe uroj që ky lloj komunikimi e bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej.
Natyrisht që jam i interesuar ta vazhdojë diskutimin për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por edhe njëherë i bëj thirrje kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ardian Gjini, kryetar i Gjakovës, së voni tash edhe kryetar i AAK-së, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili dikur siç e dini ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore, ka qenë ministër i Financave në Qeveri, ka qenë kryetar i komunës jugore të Mitrovicës, njeri me përvojë profesionale e institucionale, që të takohemi, që të bisedojmë.
Sepse nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues, që është Lëvizja Vetëvendosje. Dhe nëse Qeverinë e formon mazhoranca, që jemi ne me 62 deputetë për dallim prej 66 sa i kemi pasur herën e kaluar. Pra, këto dyja, nëse janë përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit, që në rast dështimi na çon në zgjedhje të reja, është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e AAK-së.
Pra, konstituimi i institucioneve nuk është përgjegjësi ekskluzive e fituesit. Na duhet diskutim, na duhet komunikim e bashkëbisedim. Unë jam i vullnetshëm, i interesuar edhe i gatshëm.
Faleminderit edhe njëherë të gjithëve! E, tash mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja.
© 2026 Argumentum





























































