Një delegacion i Hamasit zhvilloi të dielën bisedime në Egjipt me shefin e inteligjencës egjiptiane, Hassan Rashad, ndërsa në vend ndodhet edhe i dërguari i SHBA-së, Jared Kushner, në përpjekje për të çuar përpara planin amerikan për paqen në Gaza.
Delegacioni i Hamasit, i kryesuar nga Khalil al-Hayya, konfirmoi angazhimin për zbatimin e planit të Presidentit amerikan Donald Trump, sipas agjencisë shtetërore egjiptiane të lajmeve. Në takime, megjithatë, Kushner ka kërkuar hapa konkretë drejt çarmatimit të Hamasit dhe përfundimit të rolit të tij në qeverisjen e ardhshme të Gazës.
Kushner u takua gjithashtu me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në qytetin El-Alamein. Sipas presidencës egjiptiane, takimi theksoi nevojën që të gjitha palët të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, sipas Times of Israel
Plani amerikan parashikon ndalimin e operacioneve ushtarake, çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe krijimin e një administrate civile palestineze për drejtimin e Gazës. Por zbatimi i tij mbetet i bllokuar nga mosmarrëveshjet mbi çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen izraelite. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar tërheqjen e trupave pa një çarmatim të plotë të Hamasit.
Bisedimet në Egjipt zhvillohen ndërsa përpjekjet diplomatike amerikane dhe rajonale synojnë të zhbllokojnë procesin e paqes, ndërkohë që në Gaza vazhdojnë incidentet ushtarake dhe tensionet rreth zbatimit të armëpushimit.
Takimi Kushner–Hamas përbën një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, pasi përfshin kontakt të drejtpërdrejtë mes një të dërguari të lartë amerikan dhe drejtuesve të Hamasit, në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të kalojë nga marrëveshja e armëpushimit drejt fazës së zbatimit të planit për Gazën.
/Argumentum.al






















































