Prof. Dr. Fadil Maloku,
Sociolog
Hyrje
(Ky shkrim nuk synon të japë një përgjigje definitive se ku dhe kah mund të adresohen protestat në të ardhmen e afërt. Synimi është të lexojë, përmes një lenteje sociologjike, shtetin si dimension institucional, trajtat e mundshme të homogjenitetit kombëtar dhe, mbi të gjitha, interesimin e rimbëkëmbjes ideologjike të cilitdo subjekt politik që aktualisht vepron në skenën tonë politike. Prandaj, në vend të përfundimeve të mbyllura ad hoc, ne po shtrojmë dilema dhe hipoteza që mund të shërbejnë si pikënisje për analiza më të thelluara mbi atë që këto protesta mund të prodhojnë në shoqërinë kosovare.)
Meqenëse protestat në Prishtinë nuk kanë të ndalur, do të ishte mirë të analizohen si porositë, ashtu edhe synimet, ambiciet, po edhe qëllimet e tyre në këtë fund shtatori. Fillimisht, nëse do të provonim që, me “sytë” e një sociologjie kombëtare, po edhe të ca teorive të ndryshme mbi lëvizjet sociale, t’i kuptonim si natyrën, ashtu edhe adresimin, e më pastaj edhe procesin e shtresëzimit social të protestuesve, në kontekstin e zhvillimeve aktuale të “kaosit” të ndodhur postzgjedhor dhe atmosferës polarizuese që u krijua pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, do të arrinim të shpjegonim shkaqet, po diku edhe pasojat e mundshme që mund të “prodhojnë” ato për Republikën e Kosovës. Pra, duke i ngritur në nivel të hipotezave, protestat do të provojmë t’i shkundulisim si nga mjegullnaja që mund të keqkuptohet, ashtu edhe prapaskenat dhe skemat që mund të krijohen në opinionin e gjerë publik.
E, ato hipoteza janë:
- Hipoteza e parë, që në sociologji njihet si proces i katapultimit të situatës nga “ankimimi individual” (individual grievance) në “ankimim kolektiv” (collective grievance), në fakt është shumë e prirur që revoltën, zemërimin, po edhe pakënaqësinë individuale ta “derdhë” apo ta kanalizojë kah një mobilizim apo solidaritet të theksuar organik. Kjo situatë faktike, dosido, ilustrohet me prezencën e ikonografisë kombëtare, ku flamujt, këngët, apelet për padrejtësinë e ndodhur, përjetimet dhe emocionet e përbashkëta e krijojnë atë që Durkheim e quante eferveshencë kolektive. Është kjo situatë dhe gjendje kur individi i deridjeshëm anonim, kur futet në turmë, bëhet “atom”, ngase përjetimi i tij në protestë është diçka që nuk do ta përjetonte asnjëherë në të njëjtën mënyrë i vetëm.
- Hipoteza e dytë do të mund të analizohej nga perspektiva e sociologut Charles Tilly, i cili tubimet revoltuese në formë të marshimeve pompoze, me flamuj, parulla, thirrje e simbolika, sikurse kjo që po ndodh në rastin e UÇK-së, i “kualifikon” si pjesë e një dekor(i) dhe repertori të njohur të veprimit kolektiv. Megjithatë, në rastin e protestave “made in Kosova”, ka edhe një moment interesant, e ai është se kjo protestë nuk po drejtohet vetëm ndaj institucioneve vendore, por, sa pamë ditën e parë, edhe ndaj rolit të institucioneve ndërkombëtare, ku EULEX-i u targetua si përgjegjës në interferimin e drejtësisë kosovare. Dhe ky fakt, në gjykimin tim, konfliktin e zgjeron dhe ka rrezik ta shndërrojë nga një aversion ndaj establishmentit në një aversion ndaj institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare, gjë që asesi në këtë fazë kritike nuk bën të ndodhë. Pra, pyetja milionshe që tani do të mund të shtrohej do të ishte jo ajo se çfarë qëllimesh dhe çfarë objektivash finale i ka protesta, por çfarë identiteti masovik po synon të prodhojë kjo lëvizje? Ndonjë rizgjim kombëtar apo ndonjë rizgjim ideologjik?
- Hipoteza e tretë, shikuar me “lenten” tonë sociologjike, do të mund të jepte përgjigje adekuate se nëse protestat do të arrijnë të prodhojnë një ndjenjë të përbashkësisë apo unitetit kombëtar që kapërcen partitë dhe ndarjet ideologjike, dhe që mund të identifikohet si një lloj rizgjimi kombëtar, apo kemi të bëjmë këtu me një mobilizim puro ideologjik, prapa të cilit fshihen ca interesa meskine, klanore, grupore e sidomos sosh partiake?! Pra, dilema jonë nuk është se nëse protesta është apo nuk është legjitime e legale. Ngase, çdo protestë në një vend demokratik është një mekanizëm dhe një katalizator i lejuar i shprehjes së pakënaqësisë dhe solidaritetit qytetar.
Dilemat;
Cila është dilema ime sociologjike, por edhe e shumë njerëzve të rëndomtë e kureshtarë, është se çfarë lloj solidariteti kolektiv po prodhon ajo, pastaj, kush po përpiqet ta artikulojë dhe, në fund, kush po e drejton dhe ka simptoma të qëllimshme për ta instrumentalizuar këtë solidaritet të paparë ndonjëherë pas luftës së ndodhur? Dhe nëse është në pyetje kjo e dyta, pra nëse një ndjenjë e gjerë kombëtare po instrumentalizohet për interesa të ngushta partiake e ideologjike, atëherë, në gjykimin tim, këto protesta nuk duhet të animohen apo të instrumentalizohen për ca interesa të ngushta dhe kauza të munguara politike. Ngase, për interesa të ngushta partiake e ideologjike, ne si shtet e kemi sallën e Kuvendit, e jo rrugën. Rruga duhet të mbetet hapësirë e mobilizimit qytetar, e solidaritetit shoqëror dhe e mbrojtjes së vlerave që kapërcejnë interesat e një ideologjie, partie, grupi apo klani.
- Arsyeja e parë, është se në protesta ne duhet të mbrojmë historinë dhe vlerat e luftës së drejtë çlirimtare, dinjitetin e njerëzve që sakrifikuan për lirinë, bashkë me sovranitetin e Kosovës. Përndryshe, çdo përçarje e brendshme dhe çdo instrumentalizim partiak i kësaj ndjenje kolektive, nesër mund të keqpërdoret nga Serbia dhe nga “falangat” e brendshme mercenare mediatike, brenda dhe jashtë Kosovës.
- Arsyeja e dytë, është se barrikadimi prapa interesave partiake e ideologjike, në këto momente të zhvillimeve tektonike në nivelet globale, kontinentale dhe rajonale, është jo vetëm i dëmshëm, por është edhe shumë i rrezikshëm për vetë procesin e shtetndërtimit që po mundohet ta ngrejë temën e sovranitetit në “dialogun” (lexo: negocimin) me Serbinë.
- Aryeja e tretë nuk është vetëm sa njerëz po dalin në rrugë, por çfarë i bashkon ata, çfarë i ndan dhe çfarë identiteti kolektiv po prodhohet nga ky mobilizim. Nëse protestat arrijnë të prodhojnë një solidaritet që i kapërcen partitë, liderët dhe interesat e ngushta grupore, atëherë kemi një argument serioz për të folur për një rizgjim kombëtar. Nëse, përkundrazi, solidariteti kombëtar shndërrohet në instrument të një beteje të ngushtë partiake apo ideologjike, atëherë kemi të bëjmë me një fenomen tjetër, që kërkon një lexim krejt tjetër sociologjik.
Përfundimi
Shikuar nga ky kontekst, kemi përshtypjen se tronditja apo “shoku” politik që u shkaktua nga aktgjykimi i Speciales, bashkë me frustrimin dhe polarizimin që prodhuan skenat e ngërçit dhe tensionet institucionale, ishte një moment i pritshëm për të rishfaqur një lloj ndjeshmërie dhe solidariteti kolektiv që, për një kohë, ishte ndrydhur dhe disi ishte shtyrë në periferi të skenës politike kosovare. Dhe pikërisht kjo ndrydhje e periferizim, i qëllimshëm apo i paqëllimshëm, bëri që vlerat dhe trashëgimia e luftës së UÇK-së disi të harrohen, sidomos nga brezat e pasluftës. Aktgjykimi i Hagës tani këtij frustrimi të akumuluar po i jep një moment të fuqishëm legjitimues për ta kontestuar dhe refuzuar fuqishëm si narrativat që synojnë ta relativizojnë, ashtu edhe harresën e vlerave dhe historisë së luftës çlirimtare, e cila u krijua në momentet më kritike të Kosovës. Mirëpo, këtë barrë të përgjegjësisë, tani në kohën e paqes dhe pas një përvoje, anipse ende të shkurtër, institucionale dhe të shtetndërtimit, organizatat e dala nga lufta, bashkë me institucionet dhe aktorët e tjerë shoqërorë, do të duhej që me xhelozi dhe kujdes maksimal t’i mirëmbajnë e kultivojnë këto vlera, sidomos idiomat e kauzës shtetërore e kombëtare. Themi kështu edhe për shkak të rrethanave aktuale të ndërlikuara e tensionuese që po mbretërojnë si brenda, ashtu edhe jashtë arealit shqiptar.
Sepse vetëm përmes këtij kursi, kujtesa e luftës, solidariteti i krijuar rreth saj dhe ndjeshmëria kombëtare mund t’u shërbejnë njëkohësisht interesave shtetërore dhe atyre gjithëkombëtare, pa u shndërruar në instrument të betejave të ngushta politike. Së këndejmi, përgjegjësia e organizatorëve është që të mos e shndërrojnë dhimbjen dhe solidaritetin kombëtar që po demonstrohet këtyre ditëve nëpër sheshet e Kosovës në “beteja” për interesa partiake e ideologjike. Protesta duhet të ruhet si hapësirë e përbashkët e dinjitetit, kujtesës dhe unitetit qytetar e kombëtar. Sepse, nëse kjo hapësirë përvetësohet nga interesa të ngushta politike, atëherë rrezikohet pikërisht ajo që i ka dhënë protestës forcën e saj: ndjenja e përbashkët e solidaritetit. Ngase, pakënaqësia, zemërimi dhe revoltimi ndaj Aktgjykimit të Speciales nuk maten vetëm me “matematikën” e pjesëmarrësve që arrijnë të tubohen nëpër sheshe, e as me gjuhën e egërsuar nëpër foltore, por me atë se çfarë lloj solidariteti arrijnë të prodhojnë dhe sa i pastër mbetet qëllimi që i bashkon. Në fund të fundit, protesta mund ta mbushë sheshin me njerëz, por vetëm pastërtia e qëllimit mund ta mbrojë kauzën.
E themi kështu edhe nga shkaku se, si pjesëmarrës aktiv, ajo çfarë po hetoj unë dhe që mund të argumentohet përmes lentes sime sociologjikisht, në këto protesta ka shumë elemente të një “rizgjimi kombëtar”, por që në këto momente ndoshta do të ishte metodologjikisht e nxituar të thuhej se aty kemi një rizgjim kombëtar të konsoliduar.
Thënë edhe më saktë, “llupa” jonë sociologjike po na “alarmon” që tani për tani kemi vetëm një fazë embrionale të një rizgjimi identitar-kombëtar, por jo edhe ndonjë fazë promovimi e qartësimi ideologjik e partiak…
© 2026 Argumentum




















































