Nga lufta e vitit 2020 te procesi i paqes: gjashtë vite pas nisjes së 44 ditëve të luftimeve, 27 Shtatori mbetet një nga datat qendrore të kujtesës kombëtare në Azerbajxhan, ndërsa Kaukazi Jugor po përpiqet të ndërtojë një realitet të ri politik dhe të sigurisë.
Më 27 shtator 2020, konflikti disa dekadash mes Azerbajxhanit dhe Armenisë u shndërrua në një luftë të gjerë, duke ndryshuar në mënyrë të thellë status quo-në në Kaukazin Jugor.
Sot, kjo datë përkujtohet në Azerbajxhan si Dita e Përkujtimit, në nderim të të rënëve gjatë luftës së vitit 2020.
Nga tensionet e korrikut te lufta e 44 ditëve
Përshkallëzimi i vitit 2020 nuk erdhi pa paralajmërim.
Në korrik, përleshje të shkurtra, por të përgjakshme, shpërthyen në kufirin Armeni–Azerbajxhan, pranë rajonit Tovuz në perëndim të Azerbajxhanit. Sipas burimeve azerbajxhanase dhe disa analizave të kohës, përplasjet shkaktuan vdekjen e 12 ushtarakëve azerbajxhanas, mes tyre një gjeneral major dhe një kolonel, si dhe të një civili.
Tensionet u pasuan nga incidente të tjera përgjatë vijës së kontaktit dhe kufirit.
Më 27 shtator, luftime të shkallës së gjerë shpërthyen në disa drejtime. Azerbajxhani deklaroi se forcat armene kishin goditur pozicionet e tij ushtarake dhe zonat civile, ndërsa Armenia e paraqiti fillimin e luftimeve në një tjetër kornizë. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e përshkallëzimit.
Azerbajxhani nisi një kundërofensivë të gjerë, të cilën e quajti “Grushti i Hekurt” (Iron Fist).
Për 44 ditë, luftimet u zhvilluan në një territor të gjerë dhe sollën ndryshimin më të madh territorial në konflikt që nga lufta e parë e Karabakut.
Forcat azerbajxhanase morën kontrollin e më shumë se 300 vendbanimeve, ndërsa një nga momentet vendimtare ishte marrja e Shushës më 8 nëntor 2020.
Shusha kishte një rëndësi të veçantë strategjike dhe simbolike. Marrja e qytetit, pas 28 vitesh nën kontrollin armen, i dha fund një pjese të rëndësishme të rezistencës ushtarake dhe i parapriu marrëveshjes që do t’i jepte fund luftimeve.
10 nëntori dhe fundi i luftës
Më 10 nëntor 2020, presidentët e Azerbajxhanit dhe Rusisë, Ilham Aliyev dhe Vladimir Putin, dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan nënshkruan një deklaratë të përbashkët për ndalimin e luftimeve.

Marrëveshja parashikonte, ndër të tjera, kthimin nën kontrollin e Azerbajxhanit të rajoneve Aghdam, Kalbajar dhe Lachin dhe vendosjen e paqeruajtësve rusë në zonën e konfliktit.
Për Baku-n, 44 ditët shënuan rikthimin e territoreve që i konsideronte pjesë të integritetit të tij territorial dhe fundin e status quo-së së krijuar pas luftës së parë të Karabakut.
Për Armeninë dhe popullsinë armene të Karabakut, lufta solli humbjen e kontrollit territorial dhe një ndryshim të thellë të realitetit politik dhe të sigurisë.
Gjithsesi 27 Shtatori nuk mund të shkëputet nga një histori shumë më e gjerë e konfliktit, e cila ka prodhuar viktima dhe zhvendosje në të dyja komunitetet.
Lufta mbaroi, por konflikti nuk përfundoi menjëherë
Armëpushimi i nëntorit 2020 nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e Karabakut.
Në vitet pas luftës pati përplasje të reja, tensione në kufi dhe mosmarrëveshje mbi lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Një prej pikave më të tensionuara ishte korridori i Lachinit, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën të brishta.
Në shtator 2023, Azerbajxhani ndërmori një operacion ushtarak në Karabak. Pas luftimeve të shkurtra, forcat armene në rajon pranuan kushtet e armëpushimit. Struktura separatiste armene në Karabak u shpërbë dhe pjesa dërrmuese e popullsisë armene të rajonit u largua drejt Armenisë.
Në prill 2024, paqeruajtësit rusë nisën tërheqjen nga Karabaku, duke i dhënë fund pranisë së tyre në terren.
Kështu, në vetëm pak vite, rajoni kaloi nga një konflikt i ngrirë, te lufta, armëpushimi, një tjetër përshkallëzim dhe më pas drejt negociatave për paqe.
Nga fitorja ushtarake te procesi i paqes
Pas ndryshimit të realitetit territorial, Baku e zhvendosi fokusin drejt normalizimit me Armeninë.
Në vitin 2022, Azerbajxhani paraqiti pesë parime për normalizimin, të mbështetura në njohjen reciproke të sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve ndërkombëtarisht të njohur.
Në prill 2024 nisi procesi i delimitimit dhe demarkimit të kufirit. Në maj të po atij viti, pas delimitimit të një segmenti të kufirit, Azerbajxhani mori kontrollin mbi katër fshatra kufitare.
Një tjetër moment i rëndësishëm erdhi më 8 gusht 2025, kur Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan në Uashington një deklaratë të përbashkët dhe ministrat e Jashtëm para-inicializuan tekstin e marrëveshjes për vendosjen e paqes dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.

Dokumenti parashikon njohjen reciproke të sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve, si dhe vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Megjithatë, procesi ende nuk ka përfunduar në formën e një marrëveshjeje të ratifikuar dhe plotësisht të zbatueshme.
Nga Karabaku te korridoret e reja të Kaukazit
Një nga ndryshimet më të rëndësishme pas luftës së vitit 2020 është zhvendosja graduale e vëmendjes nga konflikti territorial drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe hapjes së lidhjeve të reja rajonale.
Deklarata trepalëshe e nëntorit 2020 parashikonte rivendosjen e lidhjeve ekonomike dhe të transportit në Kaukazin Jugor, përfshirë një lidhje mes pjesës perëndimore të Azerbajxhanit dhe Nakhchivanit përmes territorit të Armenisë.
Një projekt i ri, i lidhur me këtë ide të ndërlidhjes rajonale, u shfaq disa vite më vonë në kuadër të procesit diplomatik të Uashingtonit. Më 8 gusht 2025, në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga Azerbajxhani dhe Armenia në Uashington, u parashikua krijimi i një kuadri për “Rrugën Trump për Paqen dhe Prosperitetin Ndërkombëtar” (TRIPP) në territorin e Armenisë. Projekti synon të krijojë lidhje të pandërprera transporti mes pjesës kryesore të Azerbajxhanit dhe Nakhchivanit, duke e shndërruar këtë aks në një komponent të ri të ndërlidhjes tregtare të Kaukazit Jugor.
Në janar 2026, Armenia dhe Shtetet e Bashkuara publikuan edhe kornizën e zbatimit të TRIPP, e cila e përshkruan projektin si një lidhje multimodale transporti në territorin armen dhe si pjesë të korridoreve që lidhin Kaukazin, Kaspikun dhe Azinë Qendrore me Evropën.
Nëse procesi i normalizimit dhe projektet e ndërlidhjes rajonale konsolidohen, Kaukazi Jugor mund të hyjë në një fazë të re, ku transporti, tregtia dhe infrastruktura të marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në marrëdhëniet mes vendeve.
Në këtë kuptim, lufta e vitit 2020 nuk përbën vetëm një kapitull të historisë së konfliktit të Karabakut. Ajo ndryshoi edhe kushtet politike mbi të cilat po projektohet e ardhmja e rajonit.
44 ditët ndryshuan realitetin në terren. Pas luftës, sfida është zhvendosur drejt një beteje tjetër politike dhe ekonomike: si të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme dhe si të lidhet Kaukazi Jugor me rrjetet e reja të transportit dhe tregtisë.
Për Azerbajxhanin, 27 Shtatori mbetet një datë e kujtesës kombëtare. Por ajo ditë shënon gjithashtu fillimin e një transformimi që vazhdon të ndikojë në të ardhmen politike, të sigurisë dhe ekonomike të Kaukazit Jugor.
© 2026 Argumentum





















































