Kosova përballet sot me skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, pa një marrëveshje mes partive politike. Përplasja mes kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është përqendruar te lidhja mes zgjedhjes së presidentit dhe ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në orët e fundit, Kurti i kërkoi PDK-së të mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke u zotuar se ndryshimet në ligjin për Specialen do të kalojnë në lexim të dytë menjëherë pas zgjedhjes së presidentit. Kurti tha se votimi i ligjit është një çështje urgjente, por zgjedhja e presidentit është emergjencë për vendin.
PDK-ja e ka refuzuar këtë formulë. Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka përsëritur se partia kërkon që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen fillimisht në të dy leximet dhe vetëm më pas të diskutohet për zgjedhjen e presidentit.
“Për ne, radha e gjërave është e qartë. Kemi thënë: së pari ligji në dy leximet”, deklaroi Hamza, duke e cilësuar propozimin e Kurtit jo si ofertë, por si një formë detyrimi. Sipas tij, lidhja e dy çështjeve është bërë në një moment kur koha kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po përfundon.
Ndërkohë, Bekim Sejdiu ka rikonfirmuar se nuk është më pjesë e garës për president. Në një reagim të publikuar sot, ai tha se e kishte njoftuar më herët LDK-në dhe kryeministrin Kurti për tërheqjen e tij, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike dhe të mbështetjes së nevojshme parlamentare. Sejdiu ishte tërhequr nga kandidatura që më 14 shtator, por emri i tij u rikthye sot në qendër të debatit politik.
Në këtë situatë, zgjedhja e presidentit mbetet e bllokuar. Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar 6 tetorin si afatin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit; nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin, vendi hyn në një tjetër proces zgjedhor parlamentar.
Ngërçi presidencial zhvillohet paralelisht me protestat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Pas përplasjeve të një nate më parë mes protestuesve dhe policisë, demonstruesit janë mbledhur sërish në Prishtinë duke kërkuar kufizimin e kompetencave të Gjykatës Speciale.
Kështu, në ditën e fundit të afatit, dy çështje janë ndërthurur në qendër të krizës politike në Kosovë. Zgjedhja e presidentit dhe kërkesa për ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon Dhomat e Specializuara. Pa një kompromis politik, Kuvendi rrezikon të shpërndahet dhe Kosova të shkojë sërish në zgjedhje.
© 2026 Argumentum




















































