Fjala kyçe: 热线—[rè xiàn]—Linjë e posaçme telefonike
Rrjeti Televiziv Global i Kinës (CGTN) paraqet “Qyteti im, zëri im”, një seri e posaçme me histori reale nga qytete të ndryshme të Kinës, ku shqetësimet e përditshme marrin zgjidhje konkrete. Nëpërmjet videove dhe rrëfimeve, seria tregon se si linja e posaçme telefonike “12345” i ndihmon qytetarët të përcjellin kërkesat e problemet e tyre dhe si komunitetet vendore po i kthejnë këto kërkesa në veprime konkrete, duke ofruar një pamje të konceptit për “qytetin e njerëzve”.Foto nga CMG
Kudo që jetojnë njerëzit, problemet e përditshme ngrenë të njëjtën pyetje: si mund të zgjidhen? Një gropë në rrugë ka nevojë për riparim, një llambë e prishur e ndriçimit publik duhet zëvendësuar, ndërsa kapaku i dëmtuar i një pusi shkarkimi mund të përbëjë rrezik për sigurinë.
Në kontenë Luxian të provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, banorët mund t`i drejtohen një linje të posaçme telefonike të shërbimeve qeveritare për probleme të tilla dhe, në disa raste, t`i shohin ato të zgjidhen brenda pak javësh.
Foto nga CMG
Për banorët e fshatit Jieguanba, në lokalitetin Desheng, një nga problemet ishte një rrugë rurale e dëmtuar rëndë.
Deri në fillim të këtij viti, rruga ishte plot me gropa dhe bëhej veçanërisht e vështirë për t’u kaluar pas reshjeve. Problemi u raportua përmes linjës qeveritare të shërbimit 12345, një platformë kombëtare ku banorët mund të paraqesin ankesa, kërkesa dhe probleme te autoritetet lokale.
Pas marrjes së raportimit, autoritetet e lokalitetit Desheng dërguan punonjës për të inspektuar rrugën. Ata konstatuan se dëmtimi ishte shumë më i gjerë se segmenti prej 1.8 kilometrash i raportuar fillimisht. Në fakt, i gjithë segmenti prej 13 kilometrash kishte nevojë për riparim.
Në vend që të riparonin vetëm pjesën e përmendur në ankesë, autoritetet vendosën ta rinovonin të gjithë rrugën. Punimet nisën në janar dhe ekipet e ndërtimit punuan me turne për të përshpejtuar zbatimin e projektit. Deri në fund të shkurtit, e gjithë rruga prej 13 kilometrash ishte asfaltuar, afro një muaj përpara afatit.
Përgjatë rrugës u vendosën gjithashtu 250 ndriçues rrugorë me energji diellore, duke e bërë lëvizjen e përditshme më të sigurt dhe më të përshtatshme për banorët që shkojnë në shkollë, tregje apo qendra shëndetësore.
Linja telefonike është përdorur gjithashtu për të trajtuar rreziqe sigurie në zonat me ndërtesa më të shumta të kontesë Luxian.
Në nëndistriktin Yuchan, më shumë se 60 mbulesa pusetash pranë disa komplekseve të banimit ishin dëmtuar ose mungonin. Zona është në një rrugë kyçe për në Parkun e Ligatinave Longhu për banorët e disa lagjeve aty pranë. Pasi ndërtuesi fillestar hyri në proces likuidimi, hapësirat publike përreth zonës tregtare mbetën për një kohë të gjatë pa mirëmbajtje të rregullt.
Pas marrjes së ankesës, qeveria e nëndistriktit inspektoi vendin dhe diskutoi zgjidhjet e mundshme. Me fonde të kufizuara në dispozicion, zyrtarët vendosën të zëvendësojnë mbulesat e dëmtuara me ato prej betoni të armuar.
Këto raste tregojnë se konteja Luxian po përpiqet ta bëjë linjën “12345” më shumë sesa thjesht një kanal për trajtimin e ankesave individuale. Autoritetet po i përdorin shqetësimet e banorëve edhe për të identifikuar probleme më të gjera dhe për të përmirësuar administrimin në nivel vendor.
Foto nga CMG
Vitet e fundit, konteja e ka integruar linjën e posaçme telefonike me qeverisjen bazë dhe shërbimet publike. Masat përfshijnë lejimin e banorëve për të trajtuar çështje të caktuara përtej kufijve të qytetit dhe krijimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë për problemet urgjente, me objektivin e reagimit ndaj emergjencave brenda pesë minutash.
Kjo konte ka vënë në funksionim gjithashtu shërbime për të moshuarit dhe grupet e tjera që kanë nevojë për ndihmë shtesë. Punonjësit kanë kryer vizita proaktive te banorët dhe kanë ndihmuar në përfundimin e 1 867 procedurave të verifikimit të së drejtës për pension. Për sa u përket bizneseve, ekipe të posaçme shërbimi i kanë vizituar kompanitë 66 herë, duke ndihmuar në zgjidhjen e më shumë se 10 çështjeve veçanërisht të vështira dhe duke mundësuar financime me vlerë 2.5 miliardë juanë (rreth 373 milionë dollarë)./cgtn




















































