Agjencia Kombëtare e Turizmit promovon destinacionet, trashëgiminë kulturore dhe traditat shqiptare në një nga platformat rajonale të turizmit dhe verës.
Shqipëria po prezanton potencialet e saj turistike në panairin ndërkombëtar “Wine Vision”, që zhvillohet në Beograd të Serbisë deri më 12 tetor 2026, përmes pjesëmarrjes së Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT).
Në këtë aktivitet, Shqipëria prezantohet në një stendë të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shfrytëzuar një platformë rajonale për të rritur dukshmërinë e destinacioneve shqiptare dhe për të zgjeruar njohjen e ofertës turistike në tregjet e afërta dhe më gjerë.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Jola Hysaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit.

Prezantimi shqiptar vë në pah larminë e ofertës turistike, nga bregdeti dhe peizazhet malore te qytetet historike, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe traditat e ruajtura ndër breza. Një element i rëndësishëm është edhe mjeshtëria artizanale, e cila përfaqëson një pjesë të identitetit kulturor të vendit dhe një mundësi për t’u ofruar vizitorëve përvoja autentike.
Pjesëmarrja në “Wine Vision” synon të krijojë kontakte të reja me aktorët e sektorit, të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe të forcojë promovimin e Shqipërisë si destinacion që ofron mundësi turistike gjatë gjithë vitit.

Përtej prezantimit të destinacioneve, prania në aktivitete të tilla i jep Shqipërisë mundësinë të konsolidojë pozicionin e saj në tregun rajonal, ku afërsia gjeografike, lidhjet e transportit dhe njohja më e mirë e ofertës turistike mund të ndikojnë në zgjedhjet e udhëtarëve.
Përmes këtij aktiviteti, Agjencia Kombëtare e Turizmit vijon përpjekjet për të promovuar vlerat natyrore, historike dhe kulturore të vendit, duke e paraqitur Shqipërinë si një destinacion që ndërthur peizazhet, trashëgiminë, traditat dhe mikpritjen.
© 2026 Argumentum





















































