Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje të enjten për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
“Anëtarësimi juaj në BE është ajo që duam”, deklaroi Merz në nisje të një samiti me liderët e gjashtë vendeve, të mbajtur në Mal të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Ju mund të mbështeteni te Gjermania dhe te mbështetja ime personale”, shtoi kancelari gjerman.
Megjithatë, Merz theksoi se përparimi drejt anëtarësimit kërkon angazhim edhe nga vetë vendet kandidate, duke u bërë thirrje të vijojnë reformat dhe të dëshmojnë vullnet politik.
“Ne, si BE, kemi përmbushur detyrimet tona, por edhe ju duhet të përmbushni tuajat. Reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga ju”, u shpreh ai.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit, i cili për shumicën është zgjatur për vite me radhë. Mali i Zi konsiderohet vendi që mund të përmbyllë i pari negociatat, të cilat, sipas pritshmërive të përmendura në kuadër të samitit, synohet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
Takimi, i zhvilluar në një vilë buzë detit Adriatik, është pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e lançuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të gjashtë vendeve.
Në qershor, Gjermania dhe Franca prezantuan gjithashtu një nismë të re për përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Në një dokument të përbashkët, të dyja vendet propozuan që disa hapa të integrimit të mund të ndërmerren përpara anëtarësimit të plotë, me synimin për të krijuar stimuj konkretë për reformat.
Sipas propozimit, përmbushja e disa kritereve të anëtarësimit mund të shpërblehet me qasje të privilegjuar në tregun e vetëm të BE-së ose me dërgimin e vëzhguesve në institucionet evropiane.
Nisma synon të lidhë më ngushtë përparimin në reforma me përfitimet konkrete nga integrimi, ndërsa perspektiva e anëtarësimit të plotë mbetet objektivi përfundimtar për vendet e rajonit.
© 2026 Argumentum





















































