Parlamenti Evropian i ka akorduar të enjten Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në një kohë kur sanksionet e shpallura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump kërcënojnë punën e institucionit.
Çmimi Saharov jepet çdo vit për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ndër fituesit e mëparshëm janë udhëheqësi i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, dhe opozitari rus Alexei Navalny.
Administrata Trump njoftoi më 9 tetor vendosjen e sanksioneve ndaj GJPN-së, pas kritikave të përsëritura të Uashingtonit për fletarrestin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe hetimet mbi veprimet e trupave amerikane në Afganistan.
“Ky është një mesazh shprese dhe rezistence dërguar Donald Trumpit. Ne nuk do ta braktisim shtetin e së drejtës dhe drejtësinë ndërkombëtare. Do të qëndrojmë në krah të GJPN-së për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi eurodeputetja franceze Chloé Ridel, e cila propozoi kandidaturën e gjykatës.
GJPN-ja u përzgjodh mes tre kandidatëve në listën përfundimtare. Dy të tjerët ishin avokati tanzanian Tundu Lissu, i cili përballet me persekutim politik, dhe motrat iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të nominuara në emër të personave të persekutuar nga autoritetet iraniane.
Kandidatura e gjykatës u propozua nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe më pas mori mbështetjen e grupeve të tjera politike. Megjithatë, rezultati i befasoi disa pjesëmarrës në proces, të cilët kishin pritur që çmimi t’i jepej Lissut.
Sipas burimeve të pranishme në takim, grupi i ekstremit të djathtë Patriots for Europe (PfE) luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e rezultatit përfundimtar.
Fillimisht, Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) mbështetën kandidaturën e Lissut. Ndërkohë, S&D kishte mbështetjen e Renew Europe, të të Gjelbërve/EFA dhe të së Majtës për kandidaturën e GJPN-së.
Bashkëkryetarja e PfE-së, Kinga Gál, vazhdoi të mbështeste motrat Rahimi. Përplasja mes këtyre qëndrimeve çoi në një ngërç, pasi asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, kjo situatë do të çonte në një raund të dytë mes dy kandidatëve me mbështetjen më të madhe, Lissut dhe GJPN-së. Në fund, Gál abstenoi, duke shmangur këtë përballje dhe duke i mundësuar kandidaturës së gjykatës të siguronte shumicën relative.
Vendimi vjen pasi javën e kaluar eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike i kërkuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mbrojë gjykatën me seli në Hagë nga pasojat e sanksioneve amerikane.
Ata kërkuan përdorimin e “të gjitha instrumenteve në dispozicion”, veçanërisht të Statutit të Bllokimit të Bashkimit Evropian, i cili synon të mbrojë kompanitë dhe individët evropianë nga efektet e disa sanksioneve të vendosura nga vende të treta.
Më 9 tetor, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, i cilësoi kërcënimet me sanksione ndaj GJPN-së si “të papranueshme” dhe riafirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, deri më tani, BE-ja nuk ka ndërmarrë masa konkrete për t’iu përgjigjur sanksioneve amerikane.
© 2026 Argumentum
















































