Bashkimi Evropian synon të forcojë instrumentet mbrojtëse kundër praktikave të padrejta tregtare, përfshirë ato që u atribuohen vendeve si Kina, por kjo nuk nënkupton nisjen e një lufte tregtare, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz.
Duke folur të mërkurën në një konferencë ekonomike në Berlin, Merz tha se BE-ja përballet me praktika të padrejta tregtare nga Kina dhe se këto çështje duhet të diskutohen. “Ne kërkojmë zgjidhje paqësore, por kushti është tregtia e drejtë”, theksoi ai.
Merz, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkon që Komisioni Evropian të forcojë mekanizmat për t’iu përgjigjur shtrembërimeve të tregut dhe konkurrencës që, sipas tyre, dëmtojnë kompanitë evropiane dhe rrisin varësinë ekonomike të bllokut.
Në samitin e javës së kaluar, udhëheqësit e BE-së i kërkuan Komisionit Evropian të përmirësojë urgjentisht instrumentet e tij për të adresuar më mirë çekuilibrat tregtarë. Sipas raportimit të agjencisë gjermane dpa, deficiti tregtar i bllokut ka arritur në rreth 1 miliard euro në ditë. Deklarata e samitit nuk e përmendi shprehimisht Kinën, ndërsa udhëheqësit kërkuan vazhdimin e dialogut me rezultate konkrete.
Dy masa të propozuara nga Merz dhe Macron synojnë, së pari, të nxisin diversifikimin e furnizuesve për të shmangur varësinë e tepërt nga vende të caktuara dhe, së dyti, të krijojnë një procedurë që do të mundësonte përjashtimin e shpejtë të një vendi jashtë BE-së nga tregu i përbashkët në rast të një fluksi të madh importesh me çmime të ulëta.
“Çdo vend që cenon funksionimin e tregjeve përmes subvencioneve të padrejta, kapaciteteve të tepërta prodhuese, çmimeve agresive ose monedhave të nënvlerësuara artificialisht duhet të presë një reagim”, deklaroi Merz.
Sipas kancelarit gjerman, këto instrumente do t’i mundësonin BE-së të reagonte shpejt dhe me vendosmëri ndaj sulmeve të synuara kundër industrisë dhe zinxhirëve të furnizimit evropian. Megjithatë, ai nënvizoi se synimi është që masat të shërbejnë si garanci mbrojtëse dhe të mos jetë e nevojshme të përdoren.
BE-ja deri më tani është mbështetur kryesisht te diplomacia dhe dialogu me Pekinin për të ribalancuar marrëdhëniet tregtare, në vend që të vendosë tarifa dhe kufizime të tjera.
Ndërkohë, dy javë më parë, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maroš Šefčovič, njoftoi plane për të kufizuar importet e automjeteve hibride në bllok. Pas bisedimeve në Pekin me ministrin kinez të Tregtisë, Wang Wentao, ai tha se kjo mund të çonte në një rënie prej më shumë se gjysmës së dërgesave të këtyre automjeteve drejt tregut evropian.
Burimi: dpa
© 2026 Argumentum





















































