Kur të rinjtë nuk besojnë më se nesër mund të jetojnë më mirë se prindërit e tyre, demokracia përballet me krizën e saj më të thellë: humbjen e besimit te vetë ideja e progresit.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA*
I. Kur e ardhmja pushon së qeni premtim
Një nga pyetjet më të rëndësishme të kohës sonë nuk është më nëse demokracia liberale do të mbijetojë si sistem institucional, por nëse ajo do të vazhdojë të gëzojë besimin e qytetarëve, sidomos të brezit të ri. Zgjedhjet mund të mbahen rregullisht, parlamentet mund të funksionojnë, qeveritë mund të ndërrohen dhe kushtetutat mund të mbeten në fuqi. Megjithatë, pas kësaj fasade institucionale mund të zhvillohet një krizë e thellë legjitimiteti: qytetarët vazhdojnë të jetojnë brenda demokracisë, por pushojnë së besuari në premtimet e saj.
Kjo krizë bëhet veçanërisht e rrezikshme kur brezi i ri nuk sheh më mundësi për të ndërtuar një jetë më të mirë se ajo e prindërve të vet. Për dekada të tëra, përparimi ndërmjet brezave ka qenë një nga burimet më të fuqishme të legjitimitetit të rendit demokratik. Prindërit sakrifikonin, punonin dhe investonin për fëmijët, duke besuar se brezi pasues do të gëzonte më shumë arsim, më shumë siguri ekonomike, më shumë liri dhe mundësi më të mëdha për vetërealizim.
Ky besim përbënte një kontratë të pashkruar ndërmjet brezave dhe, njëkohësisht, ndërmjet qytetarit dhe shtetit demokratik. Demokracia nuk premtonte barazi absolute të rezultateve, por mundësi reale për të përparuar. Ajo nuk garantonte se të gjithë do të bëheshin të pasur, por se prejardhja shoqërore nuk do të duhej të përcaktonte përfundimisht fatin e individit.
Sot, në shumë shoqëri, kjo kontratë po vihet në pikëpyetje. Të rinjtë arsimohen, por nuk gjejnë domosdoshmërisht punë që përputhet me kualifikimin e tyre. Punojnë, por nuk arrijnë të sigurojnë një banesë. Janë të lidhur me botën përmes teknologjisë, por përballen me pasiguri ekonomike, vetmi sociale dhe pamundësi për të planifikuar jetën afatgjatë. Për shumë prej tyre, pavarësia ekonomike, krijimi i familjes dhe siguria profesionale nuk janë më etapa të natyrshme të jetës, por objektiva gjithnjë e më të largëta.
Kur kjo gjendje bëhet përvojë e përbashkët e një brezi, problemi nuk është më vetëm ekonomik. Ai shndërrohet në problem politik, moral dhe demokratik.
Demokracia fillon ta humbasë autoritetin e saj jo vetëm kur shkel liritë e qytetarëve, por edhe kur nuk arrin t’u japë atyre arsye bindëse për të besuar se e ardhmja mund të jetë më e mirë se e tashmja.
II. Nga kriza ekonomike te kriza e legjitimitetit
Demokracia nuk mbështetet vetëm në procedura juridike dhe në mekanizma përfaqësimi. Ajo mbështetet gjithashtu në një marrëdhënie besimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Qytetari pranon autoritetin e ligjit, paguan taksat, respekton rregullat dhe merr pjesë në jetën publike, sepse beson se sistemi, pavarësisht papërsosmërive të tij, funksionon në interes të përgjithshëm.
Por çfarë ndodh kur ky besim fillon të shembet?
Kur një i ri sheh se arritjet e tij arsimore nuk shpërblehen, se puna nuk i garanton dinjitet ekonomik dhe se avancimi shoqëror varet më shumë nga lidhjet politike sesa nga merita, ai fillon të vërë në dyshim jo vetëm qeverinë e radhës, por edhe drejtësinë e vetë sistemit.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet pakënaqësisë së zakonshme politike dhe krizës së legjitimitetit. Në rastin e parë, qytetari beson se problemet mund të zgjidhen përmes ndërrimit të qeverisë. Në rastin e dytë, ai fillon të dyshojë se asnjë qeveri nuk është në gjendje ta ndryshojë realisht gjendjen e tij.
Në këtë pikë, vota rrezikon të humbasë kuptimin e saj transformues. Zgjedhjet vazhdojnë të zhvillohen, por një pjesë e qytetarëve nuk i shohin më si mekanizëm për ndryshimin e jetës, por si rituale të përsëritura të një sistemi që prodhon të njëjtat rezultate.
David Easton, në teorinë e tij mbi sistemet politike, e trajton mbështetjen e qytetarëve si një element themelor të qëndrueshmërisë së rendit politik. Një sistem mund të përballojë pakënaqësi të përkohshme, por bëhet i cenueshëm kur dobësohet besimi më i përgjithshëm në institucionet dhe parimet që e legjitimojnë atë.
Në të njëjtën linjë, Jürgen Habermas e ka trajtuar krizën e legjitimitetit si një problem që lind kur institucionet politike nuk arrijnë të përmbushin pritjet dhe nevojat që vetë rendi shoqëror i ka krijuar.
Nëse demokracia premton barazi mundësish, por prodhon përqendrim të pasurisë; nëse shpall meritokracinë, por toleron privilegjet; nëse e paraqet arsimin si rrugë drejt emancipimit, por nuk garanton lidhjen ndërmjet dijes dhe një jete dinjitoze, atëherë ajo krijon një kontradiktë ndërmjet premtimit normativ dhe përvojës reale të qytetarit.
Kjo kontradiktë nuk mund të zgjidhet pafundësisht përmes komunikimit politik, fushatave elektorale apo thirrjeve për durim. Ajo kërkon ndryshime konkrete në mënyrën se si shpërndahen mundësitë, rreziqet dhe përfitimet e zhvillimit ekonomik.
III. Fundi i meritokracisë si premtim shoqëror
Një nga burimet më të thella të pakënaqësisë së brezit të ri është kriza e meritokracisë.
Shoqëritë moderne demokratike janë mbështetur në idenë se individi duhet të ketë mundësi të përparojë përmes dijes, punës, talentit dhe përkushtimit. Ky premtim ka qenë një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilëve demokracia ka fituar mbështetjen e shtresave të gjera shoqërore.
Por meritokracia humbet besueshmërinë kur rezultatet e jetës përcaktohen gjithnjë e më shumë nga pasuria e trashëguar, vendi i lindjes, rrjetet familjare, përkatësia politike ose mundësia për të hyrë në tregje të mbyllura.
Michael Sandel, në veprën The Tyranny of Merit [Tirania e meritës], vëren se ideologjia meritokratike mund të prodhojë jo vetëm pabarazi, por edhe poshtërim shoqëror: ata që fitojnë priren t’ia atribuojnë suksesin vetëm meritës së tyre, ndërsa ata që mbeten prapa trajtohen sikur dështimi të ishte thjesht përgjegjësi personale.
Kjo logjikë bëhet veçanërisht e padrejtë kur të rinjve u thuhet se duhet të arsimohen, të punojnë më shumë dhe të bëjnë zgjedhje më të mira, ndërkohë që kushtet strukturore ua kufizojnë mundësitë për të përfituar nga përpjekjet e tyre.
Nuk është fjala për të mohuar përgjegjësinë individuale. Është fjala për të pranuar se përgjegjësia individuale ka kuptim vetëm brenda një strukture që u ofron individëve mundësi reale për të vepruar.
Një shoqëri që e shpall meritën si kriter të suksesit, por nuk siguron kushte të arsyeshme për zhvillimin e saj, rrezikon të shndërrojë meritokracinë në një ideologji që legjitimon privilegjet.
Kështu, kriza e brezit të ri nuk është thjesht revoltë kundër mungesës së vendeve të punës apo pagave të ulëta. Ajo është edhe revoltë kundër një rendi që kërkon përpjekje, por nuk garanton mundësi të drejta; që kërkon përgjegjësi, por nuk ofron siguri; që lavdëron suksesin individual, por hesht për pengesat strukturore.
Në këto rrethana, humbja e besimit te demokracia nuk lind domosdoshmërisht nga refuzimi i lirisë. Ajo mund të lindë nga bindja se liria formale nuk mjafton kur mungojnë kushtet materiale për ta ushtruar atë.
IV. Të rinjtë dhe kriza e përfaqësimit politik
Problemi thellohet kur hendeku ekonomik shoqërohet me hendekun e përfaqësimit politik.
Në shumë demokraci, të rinjtë kanë përshtypjen se vendimet strategjike merren nga elita politike dhe ekonomike që nuk i përfaqëson realisht interesat e tyre. Politikat publike vazhdojnë të orientohen nga ciklet e shkurtra elektorale, ndërsa çështjet që përcaktojnë të ardhmen e brezave të rinj — banimi, klima, arsimi, teknologjia, siguria në punë dhe financimi i pensioneve — kërkojnë horizonte shumë më të gjata kohore.
Kjo krijon një paradoks: brezi që do të jetojë më gjatë me pasojat e vendimeve të sotme ka shpesh ndikimin më të kufizuar mbi mënyrën se si ato merren.
Për më tepër, partitë tradicionale jo rrallë i trajtojnë të rinjtë si kategori elektorale, jo si subjekt politik me interesa të strukturuara dhe me të drejtë pjesëmarrjeje në përcaktimin e prioriteteve kombëtare.
Kur kjo ndodh, përfaqësimi formal nuk përkthehet domosdoshmërisht në përfaqësim substancial.
Humbja e besimit nuk shfaqet gjithmonë në formën e indiferencës. Ajo mund të shfaqet përmes protestave, refuzimit të partive tradicionale, mbështetjes për lëvizje antisistem ose tërheqjes nga proceset institucionale. Në disa raste, pakënaqësia shndërrohet në energji demokratike që kërkon reformim. Në raste të tjera, ajo mund të shfrytëzohet nga forca autoritare që premtojnë rend, identitet dhe vendimmarrje të shpejtë në këmbim të dobësimit të pluralizmit.
Këtu duhet bërë një dallim thelbësor: jo çdo revoltë kundër elitave është demokratike dhe jo çdo mbështetje për ndryshim garanton përparim demokratik.
Pakënaqësia shoqërore mund të hapë rrugën për një demokraci më përfaqësuese, por mund të shfrytëzohet edhe për të legjitimuar përqendrimin e pushtetit në duart e një udhëheqësi që pretendon se mishëron vullnetin e popullit.
Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, në analizat e tyre mbi erozionin e demokracisë, kanë treguar se demokracitë nuk dobësohen vetëm përmes grushteve të hapura të shtetit. Ato mund të gërryhen gradualisht edhe nga brenda, kur aktorët politikë minojnë normat dhe institucionet që e bëjnë të mundur konkurrencën demokratike.
Pikërisht për këtë arsye, kriza e besimit të të rinjve nuk mund të trajtohet vetëm si problem i komunikimit politik. Ajo kërkon një përgjigje demokratike që të jetë njëkohësisht shoqërore, ekonomike dhe institucionale.
V. Nga shoqëria e shpresës te shoqëria e pasigurisë
Në sfondin e kësaj krize qëndron transformimi i modelit ekonomik dhe shoqëror.
Globalizimi, automatizimi, dixhitalizimi dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshojnë strukturën e punës, marrëdhëniet e prodhimit dhe mënyrën se si krijohet pasuria. Këto procese hapin mundësi të jashtëzakonshme, por përfitimet e tyre nuk shpërndahen automatikisht në mënyrë të barabartë.
Nëse produktiviteti rritet, por pagat ngecin; nëse pasuria përqendrohet, ndërsa kostoja e banimit bëhet e papërballueshme; nëse teknologjia krijon fitime të mëdha, por pasiguria zhvendoset te punëmarrësit, atëherë përparimi ekonomik mund të bashkëjetojë me regresin shoqëror të një pjese të madhe të popullsisë.
Kjo është një nga kontradiktat qendrore të kapitalizmit bashkëkohor: shoqëria mund të prodhojë më shumë pasuri, por njëkohësisht t’ua vështirësojë miliona njerëzve sigurimin e kushteve bazë për një jetë të pavarur.
Në këtë kontekst, Guy Standing e ka analizuar ngritjen e prekariatit, një shtrese shoqërore të karakterizuar nga pasiguria e punësimit, të ardhurave dhe identitetit profesional. Për një pjesë të brezit të ri, pasiguria nuk është më një periudhë kalimtare përpara stabilitetit, por rrezikon të bëhet gjendje e përhershme.
Problemi politik lind kur kjo pasiguri individuale shndërrohet në përvojë kolektive dhe kur institucionet nuk arrijnë ta përkthejnë atë në politika efektive.
Të rinjtë nuk kërkojnë domosdoshmërisht një shtet që t’u garantojë suksesin. Ata kërkojnë një rend shoqëror në të cilin përpjekja të ketë kuptim, puna të sigurojë dinjitet dhe e ardhmja të mos jetë e paracaktuar nga pasuria e familjes ku kanë lindur.
Nëse demokracia nuk arrin ta adresojë këtë kërkesë, hapësirën e saj mund ta zënë narrativat që e paraqesin pluralizmin si pengesë, kompromisin si dobësi dhe institucionet si mekanizma të një elite të shkëputur nga shoqëria.
Kështu, pasiguria ekonomike mund të shndërrohet në pasiguri politike, ndërsa pasiguria politike mund të prodhojë kërkesën për autoritet të pakufizuar.
VI. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën/Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor?
6.1 Demokracia, shteti funksional dhe e ardhmja e brezit të ri në Shqipëri e Kosovë
Në Kosovë dhe në Shqipërinë politike, por edhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, kjo çështje merr një dimension të veçantë. Për dekada, demokracia, liria dhe integrimi evropian janë paraqitur si rruga drejt një jete më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë.
Për shoqëritë që kanë dalë nga luftërat, autoritarizmi dhe tranzicioni i gjatë postkomunist, siç është shoqëri shqiptare, ky premtim ka pasur edhe kuptim historik. Demokracia nuk përfaqësonte vetëm një sistem qeverisjeje, por edhe mundësinë për t’u shkëputur nga trashëgimia e represionit, izolimit dhe varfërisë.
Por një brez që është rritur pas luftës nuk e gjykon shtetin vetëm mbi bazën e historisë së tij. Ai e gjykon edhe mbi bazën e mundësive që i ofron sot.
Për të rinjtë në Shqipërinë politike dhe në Kosovë, pyetjet janë konkrete dhe relativisht të të njejtës natyrë: A mund të ndërtoj një karrierë pa u varur nga patronazhi politik? A mund të siguroj një banesë dhe të krijoj familje pa u mbështetur te emigrimi? A mund të bëj kërkime shkencore dhe të zhvilloj aftësitë e mia profesionale në këtë sistem arsimor që kemi? A mund të planifikoj të ardhmen time pa e konsideruar largimin nga vendi si alternativën më racionale?
Këto pyetje nuk janë thjesht çështje të politikave sociale. Ato prekin drejtpërdrejt sovranitetin funksional të shtetit, cilësinë e institucioneve dhe kapacitetin e tij për të mbajtur brenda vendit kapitalin njerëzor që i nevojitet zhvillimit.
Emigrimi, në këtë kuptim, është njëkohësisht e drejtë individuale dhe tregues i mundshëm i dështimeve strukturore. Nuk duhet romantizuar qëndrimi në vend dhe as stigmatizuar largimi. Por një shtet që nuk arrin t’u krijojë qytetarëve të tij perspektiva të besueshme zhvillimi rrezikon të humbasë pikërisht burimin e vet më të rëndësishëm strategjik: njerëzit.
Nëse të rinjtë më të arsimuar largohen, nëse universitetet nuk arrijnë ta lidhin dijen me ekonominë dhe administratën publike, nëse punësimi vazhdon të perceptohet si privilegj i lidhur me përkatësinë politike, atëherë kriza e besimit mund të marrë përmasa afatgjata.
Në një shoqëri të vogël, me konkurrencë të fortë për kapitalin njerëzor dhe me sfida të vazhdueshme të sigurisë, kjo nuk është çështje periferike. Është çështje e kapacitetit shtetëror për të mbijetuar, për t’u zhvilluar dhe për të vepruar si subjekt i mirëfilltë politik.
Prandaj, përgjigjja nuk mund të kufizohet te thirrjet për patriotizëm, te fushatat për të ndaluar emigrimin apo te premtimet elektorale për vende të reja pune. Ajo kërkon një kontratë të re shoqërore, të mbështetur në arsim cilësor, institucione meritokratike, zhvillim ekonomik produktiv, strehim të përballueshëm dhe siguri juridike.
Për Shqipërinë, perspektiva evropiane duhet të përfaqësojë shumë më tepër sesa një orientim diplomatik apo një objektiv formal të politikës së jashtme. Ajo duhet të shndërrohet në një projekt të mirëfilltë të funksionalizimit të Republikës, konsolidimit të demokracisë dhe ndërtimit të një shteti të së drejtës, në të cilin institucionet ushtrojnë kompetencat e tyre në shërbim të interesit publik dhe qytetari gëzon të drejta, siguri juridike dhe mundësi reale për zhvillim.
Integrimi evropian duhet të matet jo vetëm përmes përparimit në negociatat e anëtarësimit, harmonizimit të legjislacionit apo përmbushjes së kritereve formale, por edhe përmes ndryshimeve konkrete në cilësinë e jetës: arsimit cilësor, drejtësisë së pavarur, administratës meritokratike, luftës efektive kundër korrupsionit, sigurisë ekonomike dhe barazisë së mundësive shoqërore. Thelbi i procesit nuk qëndron vetëm te përafrimi i Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, por te shndërrimi i vetë shtetit shqiptar në një Republikë funksionale, ku pushteti kufizohet nga ligji, institucionet i nënshtrohen llogaridhënies demokratike dhe qytetari nuk trajtohet si klient i pushtetit, por si bartës i sovranitetit.
Në këtë kuptim, evropianizimi i Shqipërisë duhet të jetë njëkohësisht proces institucional, demokratik dhe shoqëror. Ai duhet të mundësojë kapërcimin e hendekut ndërmjet demokracisë formale dhe demokracisë substanciale, ndërmjet të drejtave të garantuara në ligj dhe ushtrimit të tyre në jetën e përditshme. Integrimi evropian e humbet fuqinë e tij mobilizuese nëse mbetet vetëm një horizont politik, i administruar nga elitat dhe i komunikuar përmes statistikave të negociatave, pa u përkthyer në përvojë konkrete të drejtësisë, dinjitetit dhe mirëqenies për qytetarët.
Prandaj, sfida strategjike e Shqipërisë nuk është thjesht të arrijë Evropën si destinacion institucional, por të ndërtojë brenda Republikës standardet që e bëjnë anëtarësimin evropian një realitet të prekshëm. Vetëm atëherë perspektiva evropiane mund të rifitojë karakterin e saj transformues dhe të shndërrohet në një kontratë të re demokratike ndërmjet shtetit dhe qytetarëve, veçanërisht brezit të ri, i cili ka të drejtë të presë që liria politike të shoqërohet me mundësi reale për një jetë më të mirë.
6.2 Shqipëria evropiane dhe horizonti i integrimit kombëtar
Një Shqipëri vërtet evropiane, në kuptimin e plotë politik, institucional dhe qytetërimor të fjalës, do të ishte shumë më tepër se një shtet kandidat që përmbush kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të ishte një Republikë funksionale, me institucione demokratike të konsoliduara, me sovranitet të ushtruar përmes shtetit të së drejtës dhe me kapacitet strategjik për të vepruar si faktor i përgjegjshëm në hapësirën shqiptare dhe në arkitekturën e sigurisë evropiane. Një Shqipëri e tillë do të ishte natyrshëm më e aftë të qëndronte në krah të Republikës së Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, jo thjesht përmes deklaratave politike, por përmes një strategjie afatgjatë bashkëpunimi, koordinimi institucional dhe veprimi të përbashkët në mbrojtje të interesave të tyre legjitime.
Në këtë perspektivë, evropianizimi i Shqipërisë nuk mund të shkëputet nga çështja e integrimit kombëtar. Përkundrazi, konsolidimi demokratik i Republikës, funksionalizimi i institucioneve dhe përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të krijojnë kushtet politike e institucionale për ta shtruar, me përgjegjësi historike dhe vizion strategjik, projektin e Federatës Shqiptare.
Ky projekt, i konceptuar si bashkim politik e institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mbi bazën e vullnetit demokratik, barazisë së palëve dhe respektimit të standardeve evropiane, mund të trajtohet si një horizont strategjik i integrimit kombëtar, në prag të anëtarësimit në BE ose në ndërveprim të koordinuar me procesin e integrimit evropian. Realizimi i tij do të kërkonte debat publik të hapur, legjitimitet demokratik, marrëveshje ndërmjet institucioneve dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Integrimi evropian dhe integrimi kombëtar nuk duhen konceptuar si procese përjashtuese. Në kushtet kur Evropa synon të kapërcejë ndarjet historike përmes institucioneve të përbashkëta, ndërsa shtetet anëtare bashkërendojnë gjithnjë e më shumë politika dhe kapacitete strategjike, bashkëpunimi i thelluar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të përbëjë një model të integrimit funksional, demokratik dhe zhvillimor. Një Federatë Shqiptare, e ndërtuar mbi institucione të përgjegjshme, ndarje të qartë të kompetencave, garanci kushtetuese dhe respektim të pluralizmit, do të mund të bashkërendonte më mirë burimet ekonomike, potencialin njerëzor, arsimin, kërkimin shkencor, infrastrukturën dhe politikat e sigurisë, duke rritur aftësinë e hapësirës shqiptare për të vepruar në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues.
Një bashkërendim i tillë do të kishte rëndësi edhe për pozitën e shqiptarëve në rajon. Në vend që potenciali i tyre politik, ekonomik dhe njerëzor të mbetet i fragmentuar ndërmjet kufijve shtetërorë dhe politikave jo gjithmonë të harmonizuara, një kornizë e përbashkët federale do të mundësonte mobilizimin e këtyre energjive në funksion të zhvillimit, sigurisë dhe përfaqësimit strategjik. Kjo do të mund ta forconte aftësinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, për të thelluar partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe me aleacën e NATO-s, si dhe për të marrë pjesë më efektivisht në vendimmarrjen evropiane, gjithnjë në përputhje me detyrimet dhe kompetencat që burojnë nga rendet e tyre kushtetuese dhe nga traktatet përkatëse.
Prandaj, sfida e Shqipërisë nuk përfundon me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ajo përfshin edhe pyetjen se si ky anëtarësim mund të shndërrohet në një mundësi historike për të rritur kapacitetin demokratik, zhvillimor dhe strategjik të kombit shqiptar.
Evropianizimi i Republikës duhet të krijojë kushtet për një integrim kombëtar demokratik; integrimi kombëtar, nga ana e tij, duhet ta shtojë aftësinë e shqiptarëve për të kontribuar si faktor i përgjegjshëm në Evropë dhe në NATO.
Në këtë kuptim, Federata Shqiptare nuk duhet të paraqitet si alternativë ndaj Evropës, por si një projekt i mundshëm i organizimit demokratik të energjive kombëtare brenda rendit evropian dhe euroatlantik. Ajo do të kishte kuptim strategjik vetëm nëse ndërtohet mbi vullnetin e lirë të qytetarëve, funksionalitetin e institucioneve, respektimin e demokracisë dhe aftësinë për të prodhuar mirëqenie e siguri. Horizonti i saj nuk është izolimi nga Evropa, por pjesëmarrja më e fuqishme në të; jo dobësimi i aleancave, por rritja e kontributit shqiptar në to.
Në fund të fundit, një Shqipëri evropiane, një Kosovë e konsoliduar si shtet demokratik dhe një hapësirë shqiptare e integruar funksionalisht do të përbënin tri dimensione të së njëjtës perspektivë strategjike: konsolidimin e Republikës, forcimin e demokracisë dhe rritjen e subjektivitetit politik të shqiptarëve.
Misioni historik i evropianizimit nuk është vetëm ta çojë Shqipërinë drejt Evropës, por ta bëjë atë të aftë të hyjë në Evropë me një Republikë funksionale, me një vizion të qartë kombëtar dhe me kapacitetin për ta shndërruar bashkëpunimin shqiptar në një faktor të qëndrueshëm paqeje, zhvillimi dhe sigurie në kontinent.
VII. Rindërtimi i kontratës demokratike
Nëse kriza e demokracisë është, ndër të tjera, krizë e shpresës, atëherë përgjigjja nuk mund të jetë vetëm mbrojtja e institucioneve ekzistuese. Demokracia duhet të dëshmojë se është e aftë të korrigjojë padrejtësitë, të kufizojë përqendrimin e pushtetit ekonomik dhe të krijojë mundësi të reja për brezat që vijnë.
Kjo kërkon të paktën pesë drejtime strategjike.
Së pari, një politikë të re të arsimit dhe aftësimit profesional. Arsimi duhet të jetë më shumë se mekanizëm për marrjen e diplomave. Ai duhet të sigurojë dije, aftësi kritike dhe kompetenca që u mundësojnë të rinjve të marrin pjesë në një ekonomi që po transformohet me shpejtësi. Kjo nënkupton lidhje më të forta ndërmjet universiteteve, kërkimit shkencor, industrisë dhe institucioneve publike.
Së dyti, rikthimin e punës si burim dinjiteti. Punësimi nuk mund të matet vetëm me numrin e vendeve të krijuara, por edhe me cilësinë, sigurinë, pagën dhe mundësinë e zhvillimit profesional. Një ekonomi që krijon vende pune pa perspektivë afatgjatë mund të përmirësojë statistikat, por jo domosdoshmërisht besimin shoqëror.
Së treti, një politikë serioze të banimit dhe të pavarësisë ekonomike të të rinjve. Kur një pjesë e madhe e të ardhurave shkon për strehimin, krijimi i familjes dhe planifikimi afatgjatë bëhen më të vështira. Politikat publike duhet të synojnë zgjerimin e ofertës së banesave, qasjen në strehim të përballueshëm dhe shmangien e krijimit të varësive klienteliste.
Ky projekt i filluar tashmë në Kosovë, duhet të shënojë progres të prekshëm dhe të ketë gjithëpërfshirje në të gjitha qendrat e mëdha të Republikës. Ndërkaq në Shqipërinë politike ky projekt do të duhej të ishte pjesë e politikave të qeverisë teknike në ardhje, e gjithësesi edhe e asaj që do ta pasonte.
Së katërti, çmontimin e patronazhit dhe forcimin e meritokracisë institucionale. Nuk mund të kërkohet nga të rinjtë të besojnë në konkurrencën e ndershme kur rekrutimi, avancimi profesional dhe qasja në mundësi perceptohen si të varura nga lidhjet politike. Lufta kundër korrupsionit duhet të shndërrohet në reformë të mënyrës se si funksionon shteti.
Së pesti, zgjerimin e pjesëmarrjes së brezit të ri në vendimmarrje. Të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm objekt i politikave publike, por pjesëmarrës në hartimin e tyre. Përfaqësimi i tyre në institucione, konsultimi real për politikat afatgjata dhe krijimi i mekanizmave të llogaridhënies ndërmjet brezave do ta forconin karakterin substancial të demokracisë.
Këto masa nuk janë garanci automatike për rikthimin e besimit. Por pa to, thirrjet për besnikëri ndaj sistemit rrezikojnë të tingëllojnë si kërkesë që qytetarët të pranojnë përgjithmonë një realitet që nuk u ofron perspektivë.
Demokracia nuk mund t’i premtojë çdo individi një jetë më të mirë se ajo e prindërve të tij. Ajo mund dhe duhet të garantojë që përpjekja, liria dhe talenti të mos pengohen sistematikisht nga prejardhja, privilegji apo arbitrariteti i pushtetit.
VIII. Përfundim: demokracia duhet ta rifitojë të ardhmen
Kriza e besimit të brezit të ri është një nga provat më serioze për demokracinë bashkëkohore. Ajo zbulon kufijtë e një modeli politik që mund të ruajë procedurat formale, por që rrezikon të humbasë aftësinë për të prodhuar shpresë kolektive.
Një demokraci nuk mund të jetojë pafundësisht mbi kapitalin moral të sakrificave të brezave të mëparshëm. Çdo brez ka të drejtë të kërkojë prova se liritë, institucionet dhe politikat publike i shërbejnë edhe të ardhmes së tij.
Nëse kjo provë mungon, zhgënjimi mund të shndërrohet në cinizëm, cinizmi në apati dhe apatia në gatishmëri për të pranuar alternativa autoritare. Por ky zhvillim nuk është i pashmangshëm. Pakënaqësia mund të bëhet gjithashtu pikënisje për një demokratizim më të thellë, për institucione më të përgjegjshme dhe për një model zhvillimi që e vendos dinjitetin njerëzor në qendër të politikës.
Thelbi i problemit është ky: demokracia nuk gjykohet vetëm nga liria që u jep qytetarëve për të zgjedhur qeverinë, por edhe nga aftësia për t’u mundësuar atyre të ndërtojnë jetën që dëshirojnë.
Kur një brez nuk beson më se nesër mund të jetojë më mirë se dje, politika nuk përballet thjesht me një problem ekonomik. Ajo përballet me një krizë të kuptimit të vet.
Dhe pikërisht këtu qëndron sfida historike e demokracisë: të mos mbetet vetëm një sistem që administron të tashmen, por të rifitojë aftësinë për të organizuar një të ardhme të përbashkët.
Sepse demokracia pa shpresë mund t’i ruajë institucionet për një kohë, por e ka të vështirë të ruajë besnikërinë e qytetarëve. Dhe kur brezi i ri pushon së besuari se e ardhmja mund të jetë më e mirë, nuk vihet në pikëpyetje vetëm qeveria e radhës. Vihet në pikëpyetje vetë kontrata ndërmjet qytetarit dhe shtetit.
Bibliografi orientuese
- Easton, David. A Systems Analysis of Political Life. New York: John Wiley & Sons, 1965.
- Habermas, Jürgen. Legitimationsprobleme im Spätkapitalismus. Frankfurt am Main: Suhrkamp Verlag, 1973.
- Levitsky, Steven, and Daniel Ziblatt. How Democracies Die. New York: Crown, 2018;
botimi shqip: Si vdesin demokracitë, Tiranë, 2020. - Sandel, Michael J. The Tyranny of Merit: What’s Become of the Common Good? New York: Farrar, Straus and Giroux, 2020.
- Standing, Guy. The Precariat: The New Dangerous Class. London: Bloomsbury Academic, 2011.
___________________________
*Burimi origjinal: Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë
© 2026 Argumentum





















































