VNA ngre pikëpyetje mbi financat e Faktoje.al, raporton investime mbi 1 milion euro
Organizata shqiptare e verifikimit të fakteve Faktoje.al ka raportuar rreth 1.4 milionë euro kontribute gjatë periudhës 2021–2025, ndërsa pasqyrat financiare përfshijnë dy apartamente dhe investime në letra me vlerë me vlerë të kombinuar mbi një milion euro, sipas një investigimi të publikuar nga VNA.al.
Në artikullin e saj, gazetarja Desada Metaj ngre pyetje mbi burimin e fondeve, identitetin e donatorëve dhe kushtet që rregullojnë përdorimin e tyre.
Sipas të dhënave financiare të cituara nga VNA, organizata kishte në fund të vitit 2025 investime në letra me vlerë prej 64.1 milionë lekësh, pasuri të paluajtshme me vlerë 46.8 milionë lekësh dhe 30 milionë lekë në llogari bankare.
VNA thotë se i ka dërguar Faktoje.al tri kërkesa për informacion mbi financimin e organizatës dhe marrëveshjen e saj me kompaninë Meta, e cila administron Facebook-un, por nuk kishte marrë përgjigje deri në publikimin e investigimit.
Faktoje.al bashkëpunon me Meta-n për verifikimin e fakteve të publikuara në rrjetet sociale. Sipas VNA-së, më 16 tetor, kjo media u përball me kufizime në publikimin e videove në Facebook, pas vlerësimit nga Faktoje.al si të pavërteta të dy përmbajtjeve që lidhen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe markën Gucci.
Investigimi ngre pikëpyetje mbi transparencën e mekanizmit përmes të cilit Faktoje.al bashkëpunon me Meta-n dhe ndikimin që ky bashkëpunim mund të ketë në publikimin e përmbajtjeve nga mediat online. Autorja vë në dukje se kufizimet ndaj VNA.al ndodhën më 16 tetor, në kulmin e protestave studentore në Tiranë, kur pamjet dhe informacioni nga terreni kishin rëndësi të veçantë për publikun.
________________________________
Lexoni artikullin e plotë në VNA.al.
© 2026 Argumentum





















































