Zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të debatit politik në Bruksel, në një moment kur disa vende kandidate po përparojnë drejt anëtarësimit, ndërsa të tjera rrezikojnë të mbeten pas. Në Samitin e dytë për Zgjerimin, të organizuar nga Euronews në Bruksel, liderë dhe përfaqësues evropianë diskutuan sfidat e zgjerimit dhe nevojën për ta kthyer perspektivën evropiane në rezultate konkrete.
Në fokus të diskutimeve është veçanërisht Ballkani Perëndimor, ku procesi i integrimit po zhvillohet me ritme të ndryshme. Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen ndër vendet më të avancuara, ndërsa Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova vazhdojnë të përballen me pengesa politike dhe institucionale.
Sipas analizës së publikuar nga Euronews, Mali i Zi mbetet vendi më pranë përfundimit të negociatave, por përparimi i tij po ndikohet nga mosmarrëveshjet dypalëshe me Kroacinë, të lidhura me çështje të trashëgimisë së luftërave jugosllave të viteve 1990.
Shqipëria, e konsideruar një tjetër kandidate e avancuar, ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe deri më tani ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Megjithatë, zhvillimet e brendshme politike dhe protestat e fundit janë pjesë e sfidave që shoqërojnë procesin e saj të integrimit.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me kushtin për ndryshime kushtetuese, të kërkuara në kuadër të marrëveshjes me Bullgarinë, për njohjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka shprehur shqetësimin se rruga evropiane e vendit mbetet e bllokuar nga kjo çështje.
Edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova vazhdojnë të përballen me pengesa në procesin e afrimit me BE-në, duke rritur diferencën mes vendeve që kanë avancuar në negociata dhe atyre që ende nuk kanë arritur të kapërcejnë bllokimet politike.
Reforma të reja për një BE më të zgjeruar
Debati në Bruksel nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kritereve nga vendet kandidate, por edhe me aftësinë e vetë Bashkimit Evropian për të funksionuar me më shumë anëtarë.
Më 6 tetor, Komisioni Evropian paraqiti një paketë propozimesh për përgatitjen e Unionit për zgjerimin e ardhshëm. Ndër idetë kryesore është përdorimi më i gjerë i votimit me shumicë të kualifikuar për hapjen e kapitujve ose grupkapitujve negociues, në vend të kërkesës për unanimitet në çdo fazë të ndërmjetme.
Qëllimi është të kufizohet mundësia që një shtet i vetëm anëtar të bllokojë përparimin teknik të një vendi kandidat. Megjithatë, propozimi nuk nënkupton heqjen e unanimitetit për vendimin përfundimtar të anëtarësimit, i cili mbetet një proces që kërkon miratimin e shteteve anëtare.
Komisioni propozon gjithashtu integrimin gradual të vendeve kandidate në politika dhe sektorë të caktuar të BE-së, si energjia, transporti, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja, përpara anëtarësimit të plotë.
Kjo qasje do të kushtëzohet nga përparimi në reforma dhe përafrimi strategjik me Bashkimin Evropian. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka theksuar se integrimi gradual nuk duhet të zëvendësojë anëtarësimin e plotë, por të shërbejë si një përshpejtues i procesit.
Një tjetër element i paketës lidhet me mekanizmat mbrojtës për anëtarët e rinj, për të parandaluar regresin demokratik pas anëtarësimit. Në rast të shkeljeve serioze të vlerave themelore të BE-së, propozimet parashikojnë masa që mund të përfshijnë edhe kufizimin e fondeve ose të drejtave të votës në Këshill.
Një Evropë me disa shpejtësi?
Një nga shqetësimet që po shfaqet në debatin e zgjerimit është rreziku i krijimit të një ndarjeje të re mes vendeve kandidate. Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po avancojnë në negociata, vende të tjera të rajonit rrezikojnë të mbeten në një proces të zgjatur pritjeje.
Në këtë kontekst, Serbia mbetet një faktor i rëndësishëm. Ndryshimet e fundit politike në Beograd kanë krijuar pritshmëri në Bruksel për një rishikim të marrëdhënieve dhe një impuls të ri në procesin e integrimit.
Megjithatë, zgjerimi vazhdon të jetë i lidhur me përmbushjen e kritereve individuale, sundimin e ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së.
Këshilli Evropian ka njoftuar gjithashtu se samiti zyrtar BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet më 25 nëntor në Bruksel. Takimi pritet të riafirmojë perspektivën e anëtarësimit për rajonin, të shqyrtojë reformat dhe të diskutojë integrimin gradual përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e ka cilësuar anëtarësimin e rajonit një investim të rëndësishëm gjeopolitik në kushtet e pasigurive ndërkombëtare.
Për Ballkanin Perëndimor, debati i ri në Bruksel ngre një pyetje thelbësore: nëse zgjerimi do të shndërrohet në një proces me afate dhe rezultate konkrete, apo nëse dallimet mes vendeve kandidate do të thellojnë edhe më tej ndarjen brenda rajonit.
© 2026 Argumentum
















































