Prof. Dr. Fadil Maloku,
sociolog
Protestat në Tiranë ndaj tiranisë së autokratit Edi Rama janë duke vazhduar edhe më tej, ndërkaq, dorëheqja e kërkuar ende nuk është askund në horizont! Në ndërkohë, as strukturat apo “staturat”organizative të protestave nuk kanë dalë ende publikisht me një platformë të qartë se si duhet vazhduar më tej ky demonstrim ende civilizues. Në gjykimin tim, duke marrë parasysh përvojat, strategjitë, por edhe metodologjitë adekuate për status quo-në e tanishme, “task-forca” e tyre, pa asnjë vonesë të mëtejme, do të duhej të ulej me urgjencë dhe ta rishqyrtonte, jo shkarazi, por siç thuhet, me “koka të ftohura”, se përse insistimi për dorëheqje ende nuk është realizuar?!
Në këtë lloj “sofre” apo Kuvendi të improvizuar, këto “statura” do të duhej gjithashtu, përveç të tjerash, të elaboronin si të metat, ashtu edhe përparësitë e strategjisë së deritanishme, në mënyrë që të “skanonin” në mënyrë meritore si dobësitë e ngecjes, ashtu edhe momentet e avancimit të krejt arkitekturës organizative të protestave. Po them kështu, për shkakun se vetëm me këtë metodologji do të mund të “detektonin” më thellë hapat e munguar dhe risitë e tjera që, sipas mendimit tim, nuk i kanë shfrytëzuar në maksimum si lëvizje studentore.
Dhe, për të qenë edhe më i drejtpërdrejtë, sidomos kur janë në pyetje shkaqet e mosmasovizimit më të theksuar të këtyre protestave, “piramida e organizatorëve” duhet ta kuptojë se protestat nuk po masovizohen jo për shkak të mungesës së pakënaqësisë qytetare, por për shkak të mungesës së një solidariteti shoqëror, i cili do ta shndërronte pakënaqësinë individuale në revoltë gjithëpërfshirëse shoqërore, politike dhe ekonomike. Këtu mund të na ndihmojë edhe koncepti i solidaritetit mekanik i Emil Dirkhemit, i cili mbështetet në ngjashmëritë dhe identitetin e përbashkët të anëtarëve të një shoqërie.
Sepse, qytetarët shqiptarë, ndonëse janë tejet të zemëruar dhe të pakënaqur me korrupsionin, oligarkinë, pabarazinë dhe mungesën e perspektivës, ende kanë mbetur shumë të fragmentarizuar dhe qartazi joempatikë, në kuptimin e paaftësisë për t’i kuptuar interesat e shtresave të ndryshme jo vetëm racionalisht, por edhe emocionalisht.
Tani, studentët, si bartës dhe artikulues të këtij ndryshimi rrënjësor të sistemit, ende perceptohen vetëm në nivelin e shqetësimit, por jo edhe si një forcë që mund të artikulojë shpresën për të ardhmen e vendit. Shtresa e punëtorëve, të rrezikuar deri në palcë nga eksploatimi i padenjë prej oligarkëve të dalë nga fuqia politike, të cilët e kanë monopolizuar sistemin që nga vitet ’90-ta, perceptohen si të huaj dhe jo të denjë në kërkesën kryesore për dorëheqje! Pastaj kemi përfytyrimin e gabuar për shtresën e mesme, e cila, sa po kuptoj unë nga Prishtina, fare nuk po figuron në gjithë këtë “mozaik” të protestave të deritanishme. Periferizimi i kësaj shtrese, që mund të jetë edhe pasojë e frikës nga mbijetesa ekonomike, është veçanërisht domethënës, sepse pikërisht kjo shtresë përbën kurrizin e çdo shoqërie normale, por edhe të atyre në tranzicion, sikurse është ende Shqipëria.
Pra, pamundësia e lëvizjes studentore për të “prodhuar” dhe artikuluar atë identitetin e munguar të përbashkët qytetar do të duhej t’u shërbente strukturave udhëheqëse si shenjë alarmi se i gjithë mundi, djersa dhe sakrifica e deritanishme mund t’u shkojnë huq! Dhe, për të mos ndodhur ky skenar, studentët, përveç shtresave të lartcekura, duhet sa më shpejt ta lidhin një “kontratë sociale” me pedagogët e rinj që kanë guxim, kurajë, por edhe përgatitje profesionale për t’u përballur me të keqen e pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të “ajatullahut” Edi Rama.
Ndërkohë, kjo lloj “kontrate sociale” apo ky lloj solidariteti organik do të duhej të zgjerohej edhe me sindikatat, punëtorët në sektorin shtetëror, intelektualët dhe shtresat e tjera qytetare. Kjo do të krijonte një ndërvarësi dhe kohezion më të madh ndërmjet kategorive të ndryshme shoqërore. Sepse, protesta nuk mund të mbijetojë vetëm nga zemërimi, revolta dhe urrejtja antiestablishment, por duhet të ushqehet edhe me besim, solidaritet dhe një narrativë e alternativë bindëse për nevojën e ndryshimit të sistemit të kalbur, ku “kurorëzimi i triadës bermudiane” (pushtetarë, oligarkë dhe grupe të strukturuara kriminale) ka komprometuar, me mjete jodemokratike, idealin e demokracisë, për të cilin shqiptarët edhe derdhën gjak dhe pësuan mijëra viktima!
Pra, boshti kryesor i riorganizimit studentor në ditët dhe javët në vijim do të duhej, midis të tjerash, të përqendrohej edhe në këto pesë shtylla, të cilat, sipas gjykimit tim, mund të përbëjnë bazën e një platforme të re të mobilizimit dhe përfaqësimit qytetar:
1. Lëvizja studentore si forcë e ndryshimit shoqëror.
Nëse ekziston një forcë shoqërore që mund të artikulojë një alternativë ndaj krimit, korrupsionit, nepotizmit, poltronizmit politik dhe dukurive të tjera negative që e kanë kapluar shoqërinë shqiptare, ajo është lëvizja studentore. Për shkak të potencialit të saj mobilizues dhe mundësisë për të vepruar përtej strukturave tradicionale partiake, ajo mund të shndërrohet në një aktor të rëndësishëm të ndryshimit shoqëror. Por kjo kërkon që studentët të mos mbeten vetëm bartës të protestës, por të shndërrohen edhe në artikulues të një vizioni të ri qytetar dhe institucional.
2. Zgjerimi i koalicionit shoqëror përmes solidaritetit.
Kjo forcë në ngritje mund të ketë sukses vetëm nëse arrin ta kapërcejë kufirin e kampuseve universitare dhe të krijojë një koalicion më të gjerë shoqëror. Në këtë koalicion duhet të përfshihen veçanërisht shtresat e ulëta, kategoritë e margjinalizuara, punëtorët, shtresa e mesme dhe grupet e tjera që përballen me përjashtimin, pasigurinë dhe pabarazinë sociale. Pa këtë zgjerim të bazës shoqërore, lëvizja rrezikon të mbetet një mobilizim i kufizuar studentor, pa kapacitetin e nevojshëm për të prodhuar ndryshime më të thella. Këtu duhet të ndërtohet pikërisht ai solidaritet organik, i cili do t’i lidhte interesat e ndryshme shoqërore në një kauzë të përbashkët qytetare.
. Institucionalizimi i demokracisë së drejtpërdrejtë përmes PLENUMIT STUDENTOR.
Studentët shqiptarë duhet të krijojnë një mekanizëm të ri konsultimi dhe vendimmarrjeje demokratike, i cili do të funksiononte mbi parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë. Në gjykimin tim, ky mekanizëm duhet të marrë formën e një plenumi studentor, ku vendimmarrja të mos bëhet përmes sistemit tradicional të përfaqësimit studentor, por drejtpërdrejt, përmes votës individuale, sipas parimit: një person – një votë. Ky plenum do të duhej të shndërrohej në një hapësirë autonome të debatit, konsultimit dhe vendimmarrjes kolektive, ku studentët vetë do t’i përcaktonin hapat e mëtejmë të lëvizjes. Një model i tillë do ta rriste legjitimitetin e vendimeve, do ta forconte kohezionin e brendshëm dhe do ta mbronte lëvizjen nga përvetësimi prej grupeve të ngushta apo liderëve të vetëshpallur.
4. Përgatitja për një alternativë të re politike.
Studentët shqiptarë duhet të fillojnë të përgatiten edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por, paraprakisht, ashtu siç u përpoqën studentët serbë, duhet të krijojnë një moment kritik të mobilizimit dhe animimit qytetar, duke e shndërruar pakënaqësinë individuale në një energji kolektive dhe në solidaritet të organizuar shoqëror. Kjo kërkon edhe artikulimin e një patriotizmi qytetar, që nuk identifikohet me përkatësitë partiake, por me përgjegjësinë ndaj atdheut, institucioneve dhe së ardhmes së përbashkët. Vetëm përmes një procesi të tillë mund të ndërtohet një alternativë e re politike, e dallueshme si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita tradicionale.
5. Krijimi i një elite të re përfaqësuese.
Në këtë kontekst, lëvizja duhet të fillojë të përgatisë një listë të gjerë kandidatësh me profile të ndryshme profesionale, intelektuale dhe shoqërore. Këta kandidatë duhet të përfaqësojnë një kulturë të re politike, të mbështetur në meritokraci, integritet publik, përgjegjësi qytetare dhe llogaridhënie. Synimi duhet të jetë tejkalimi i konturave të sistemit tradicional të përfaqësimit politik, të ndërtuar dhe dominuar për dekada nga PS-ja dhe PD-ja, dhe krijimi i një elite të re përfaqësuese, e cila të buronte nga besimi qytetar dhe pjesëmarrja demokratike. Kjo do të duhej të ishte një alternativë e besueshme për qytetarët, e jo thjesht një zëvendësim i një elite politike me një tjetër.
Në fund të fundit, problemi i Shqipërisë nuk është vetëm se Tirana zien, por se kjo nxehtësi ende nuk është shndërruar në një energji kolektive të ndryshimit shoqëror. Sepse, zemërimi mund ta ndezë protestën, por vetëm solidariteti, organizimi demokratik dhe një alternativë e besueshme mund t’i japin asaj fuqi transformuese. Tirana mund të jetë vendi ku shpërthen pakënaqësia, e zemërimi por ndryshimi i sistemit korruptiv dhe kriminalizues nuk mund të mbetet obligim dhe detyrim vetëm Tiranës, por, i mbarë shoqërisë shqiptare, si asaj që punon, ashtu edhe asaj që vuan, që emigron, që proteston dhe asaj që ende pret të përfaqësohet, sikurse janë studentët…
© 2026 Argumentum




















































