Më shumë se 100 veta nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë u mblodhën të martën në Tajpei në një forum kushtuar 160-vjetorit të lindjes së Sun Jat Senit. Në këtë veprimtari u bë thirrje që banorët në Tajvan dhe në pjesën kontinentale të vazhdojnë së bashku trashëgiminë e Sun Jat Senit, të promovojnë zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës dhe të punojnë së bashku për të arritur rilindjen e kombit kinez.
Wang Chochung, president i “Meihua Media” me seli në Tajvan, tha në fjalën e tij të hapjes se Sun Jat Seni ishte një figurë e madhe dhe e nderuar nga banorët në të dyja brigjet e ngushticës së Tajvanit.
Ai shprehu shpresën që forumi do të shërbejë jo vetëm si një rast për të përkujtuar Sun Jat Senin, por edhe si një platformë për të bashkuar mençurinë e forcën për të gjetur mënyra për të nxitur paqen ndërmjet dy brigjeve dhe për të përmirësuar mirëqenien e banorëve në të dyja anët.
Sun Jat Seni, i lindur në vitin 1866, vlerësohet gjerësisht si pionier i revolucionit demokratik kinez, për rolin e tij udhëheqës në Revolucionin e 1911-s, që u dha fund më shumë se 2 000 vjetëve të sundimit perandorak në Kinë. Ai u nda nga jeta më 12 mars 1925.
Sun e vizitoi Tajvanin tre herë, më 1900, 1913 dhe 1918, kur ishulli ishte nën sundimin kolonial japonez. Idetë e tij frymëzuan shumë të rinj patriotë në Tajvan, disa prej të cilëve udhëtuan në pjesën kontinentale për të marrë pjesë në veprimtari revolucionare, ndërsa të tjerë organizuan rezistencën antijaponeze në ishull.
Sot shumë rrugë e parqe në Tajvan dhe në pjesën kontinentale mbajnë emrin e Sun Jat Senit./cgtn





















































