Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal lidhur me kallëzimin ku përmendet kryeministri Edi Rama, funksionarë të tjerë publikë dhe subjekte private, për dyshime mbi ligjshmërinë e vendimmarrjeve që kanë mundësuar zhvillimin e projekteve turistike në zona të mbrojtura të Shqipërisë.
Sipas një shkrese të datës 6 nëntor, të nënshkruar nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe aktualisht ndodhet në fazën e hetimit.
Kallëzimi është paraqitur nga një grup ekspertësh dhe protestuesish më 12 gusht, duke kërkuar verifikimin e vendimmarrjeve institucionale për projektet turistike në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.
Në qendër të materialeve të depozituara ndodhet edhe botimi “The Albanian Files – Freedom and Architecture”, që përmbledh 523 projekte arkitekturore dhe urbanistike në Shqipëri. Kallëzuesit kërkojnë të verifikojnë mënyrën e përzgjedhjes së studiove arkitekturore, procedurat e miratimit të projekteve dhe lidhjen e tyre me ndryshimet ligjore dhe vendimmarrjet e institucioneve shtetërore.
Një nga elementet që kërkohet të hetohet është roli i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në miratimin e projekteve dhe instrumenteve të posaçme të planifikimit.
Kallëzuesit kanë ngritur dyshime për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Këto janë pretendime të paraqitura në kallëzim dhe jo përfundime të hetimit.
SPAK ka konfirmuar regjistrimin e procedimit penal, por deri tani nuk rezulton që kryeministri Rama apo personat e tjerë të përmendur në kallëzim të jenë regjistruar zyrtarisht si persona nën hetim apo të pandehur.
Çështja “The Albanian Files” është kthyer prej muajsh në objekt debati politik dhe qytetar, veçanërisht për zhvillimin e projekteve turistike në territore me status të mbrojtur dhe transparencën e vendimmarrjes publike.
© 2026 Argumentum





















































