Ministria e Shëndetësisë njofton se përgjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime të dyshuara për COVID-19, prej të cilave 57 kanë rezultuar pozitivë.
Mjekja Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se, qyteti i Krujës ka numrin më të lartë të rasteve ditore me COVID-19, përkatësisht me 16 të infektuar, ndjekur nga Tirana me 14, 9 Vlora, 8 Shkodra, 6 Lushnja, 2 Puka, dhe nga 1 Durrësi e Fieri.
Aktualisht në Spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po marrin shërbim 47 pacientë, ku 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar.
Siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë, në të gjithë vendin aktualisht numërohen 441 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
Znj. Daja u shpreh se raste me COVID-19 janë zbuluar në subjektet tregtare si dhe institucione publike dhe ato private.
Nisur nga kjo evidencë, MSH-ja fton kompanitë që kudo ku është e mundur që punën e tyre ta vazhdojnë nga shtëpia, duke evituar kështu përhapjen e mëtejshme të pandemisë.
“Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19”, tha Daja.
Po ashtu, gjatë 24 orëve janë shëruar 5 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1044.