Bashkimi Evropian dhe Irani njoftuan të shtunën se bisedimet e ngecura për armët bërthamore do të rifillojnë në ditët në vijim.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel e bëri këtë njoftim me ministrin e Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian në një konferencë për shtyp në kryeqytetin iranian.
Bisedimet midis Iranit dhe fuqive të mëdha – Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë – mbi programin bërthamor të Teheranit kanë ngecur që nga marsi.
Një pengesë kryesore për diskutimet ka qenë tensioni midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë, ku secila palë fajëson tjetrën për ngërçin.
Qëllimi i bisedimeve është ringjallja e paktit JCPOA të vitit 2015, i cili vendosi kufizime në programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.