Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar NATO-n se duhet të mbrojë pakicën serbe në Kosovë ose Beogradi do ta bëjë vetë.
Tensionet janë rritur mes fqinjëve ballkanikë që kur Prishtina deklaroi muajin e kaluar se dokumentet serbe të identitetit dhe targat e automjeteve nuk do të jenë më të vlefshme në Kosovë.
Vuçiq pretendon se synon të largojë serbët nga Kosova – diçka që ai thotë se nuk do ta lejojë.
“Nuk do të ketë kolona refugjatësh dhe ne do ta shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi dhe pogromet nëse NATO nuk dëshiron ta bëjë këtë,” tha ai.
Vuçiq tha se Serbia do të “punojë shumë” për të arritur një “zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme” dhe akuzoi udhëheqjen e Kosovës se “është e interesuar vetëm për të shfuqizuar çdo gjurmë të shtetit serb në Kosovë”.
Vuçiq gjithashtu pohoi, përsëri pa prova, se qeveria e Kosovës donte “largimin përfundimtar të popullit serb nga Kosova” – diçka që është mohuar vazhdimisht nga zyrtarët e Kosovës.
Presidenti serb kritikoi NATO-n për rritjen e pranisë së saj në pjesën veriore të Kosovës.
“Nuk është detyra juaj të shikoni nëse dikush po kalon barrikada, por të mbroni serbët nga ndërhyrjet e policisë së Kosovës në veri”, tha Vuçiq në një fjalim plot kërcënime të paralajmëruar disa ditë më parë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për “menaxhimin e krizës” të enjten e kaluar midis Serbisë dhe Kosovës nuk arritën të shuanin tensionet në rritje midis fqinjëve ballkanikë, por dialogu i mëtejshëm do të zhvillohet, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel.
“Për fat të keq, ne nuk arritëm në një marrëveshje sot… Por ky nuk është fundi i historisë,” tha Borrell. “Diskutimi do të rifillojë në ditët në vijim… Unë nuk do të dorëzohem,” tha ai.
/Argumentum.al