Recep Tayyip Erdogan ka fituar raundin e balotazhit, duke i rizgjedhur në postin e presidentit të Turqisë, tha kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor turk.
Kreu i këtij këshilli, Ahmet Yener, zyrtarisht shpalli rezultatin zgjedhor, duke thënë se Erdogan ka fituar 52.14 për qind të votave.
“Edhe nëse të gjitha rezultatet që ende nuk janë futur në sistem shkojnë për kandidatin tjetër, rezultati nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Mw 99.43 për qind të votave të numëruara, rivali i Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu, ka fituar 47.86 për qind të votave, shtoi Yener.
Më herët, Erdogan tha se populli turk i ka dhënë atij përgjegjësinë për të qeverisur në pesë vjetët e ardhshme, duke shpallur fitoren në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, Erdogan, që e ka udhëhequr Turqinë për dy dekada, falënderoi qytetarët që votuan dhe tha se me votën e tyre, ai ka mposhtur në zgjedhje kundërkandidatit nga opozita, Kemal Kilicdaroglu.
Ndërkaq, gjatë fjalimit të tij, Kemal Kilicdaroglu, nuk pranoi humbjen në zgjedhje, por dënoi “qeverisjen autoritare” të Erdoganin dhe tha se zgjedhjet ishin të padrejta.
“Duhet ta dini se ne do të ngrihemi kundër vështirësive që na presin”, tha ai.
Ai falënderoi 25 milionë turq që votuan për të dhe kërkoi nga mbështetësit e tij në Ankara që të “ngriheni në këmbë dhe të ecni me krenari”.
Mbi 60 milionë persona kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës.
Qendrat e votimit për rundin e balotazhit u hapën në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe u mbyllën në orën 17:00.
Sipas Anadolut, dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve është 4 për qind se në rundin e parë, përkatësisht 84-85 për qind.
Mbi 400.000 vullnetarë nga partitë opozitare kanë monitoruar procesin e votimit dhe të numërimit të votave.
Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.
Fitorja e Erdoganit i mundëson liderit turk që të hyjë në dekadën e tretë të qeverisjes në Turqi, shtet që ai e ka riformuar nga një shtet laik të themeluar 100 vjet në një shtet më fetar.
Kilicdaroglu kishte premtuar se do ta ndryshonte drejtimin e ekonomisë. Ai po ashtu kishte premtuar kthimin e sistemit parlamentar.
Krerët më të lartë të Shqipërisë kanë uruar presidentin turk për fitoren e zgejdhjeve presidenciale.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh president i Turqisë, pozicion të cilin e mban prej vitit 2014.
“Urime të përzemërta Recep Tayyip Erdoğan në rizgjedhjen tuaj! Partneriteti dhe miqësia vëllazërore mes Shqipërisë dhe Turqisë do të vazhdojnë dhe do të rritet më tej”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.
Edhe Kryeministri Edi Rama uroi sot presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan: “Urime për fitoren Zoti President”, shkruan Rama në mesazhin e tij të urimit.
Këtë të dielë qytetarët turq votuan për së dyti për zgjedhjen e Presidentit, pasi raundi i parë u mbyll me një balotazh midis presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan dhe liderit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu.