Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, zhvilloi një vizitë dyditore në Bruksel, ku u takua me një sërë zyrtarësh të lartë të Bashkimit Evropian, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë qëndrimit të tij, Dumani u takua me:Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë e Përgjithshme në detyrë në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos; Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Shqipëri, të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe rolin kyç të tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë e BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se BE-ja mbetet një mbështetëse e vendosur e SPAK-ut:
“Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre.”

Zyra e BE-së nënvizoi se vizita e Dumanit në Bruksel dëshmon për arritjet e SPAK-ut dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane në përpjekjet e përbashkëta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
/Argumentum.al





























































