Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me amnistinë fiskale dhe penale propozuar nga qeveria.
Në reagimin e tij, Meta shpreh se ka ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale.
“Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji: Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme; Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase; Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare; Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale; Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amnistohet gjithmonë në të ardhmen;Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës;Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale; Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale;Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian; Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm”, argumentoi ai.
Meta tha se mbështet plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian të datës 19 maj 2022.
“Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme. Kushdo që mendon se do të komprometojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim. Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar. Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë”, u shpreh Meta.