Kryetari i Partisë Demokratike me anë të një konference për shtyp ka denoncuar faktin se mjekëve dhe infermierëve iu është shpërndarë maska që rezultojnë të skaduara që në vitin 2011.
Duke iu referuar denoncimeve të bërë edhe më parë nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, Basha kërkoi që prokurori të nisë menjëherë hetimet mbi këtë që e cilësoi si një skandal.
“Maskat e skaduara tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme. Qeveria me vetëdije ka shpërndarë maskat e skaduara, duke u vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës shtë kriminale”, deklaroi kryedemokrati.
Gjithashtu Basha në deklaratën e tij para medias theksoi se kjo situatë e krijuar është një kronikë e një dështimi të paralajmëruar, pas spitalet të papërgatitura për të përballuar fluksin.
Ai i bëri apel banorëve që të kenë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse dhe të mos ngurrojnë që t’i drejtohen mjekëve për çdo shqetësim që ato kanë.
Por menjëherë pas këtij reagimi të liderit të PD-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke i cilësuar si shpifje faktin se janë shpërndarë maska të skaduara për personelin mjekësor.
“Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!”, reagoi Rama.
Në mbledhjen e Qeverisë, Edi Rama është detyruar të dalë me maskë në fytyrë si tregues se nuk kanë asnjë problem.
Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se maskat kanë kaluar nga portet kanadeze dhe amerikane dhe nuk do kishin gjasë të vinin në Shqipëri nëse do të ishin jashtë standardeve./h.e