Në komunikimin e përditshëm me publikun, Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se numri i të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë ka shkuar kështu në 795.
Nga 197 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë vetëm 6 raste pozitive, që i përkasin Krujës dhe Kurbinit dhe vetëm 1 rast pozitiv në Tiranë.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67 % e tyre rezultojnë të shëruar.
“Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531. Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19.
Pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Ky është një tregues i rëndësishëm që evidenton faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale”, tha Qirjako.