Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.
Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.
Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.
“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.
Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.
Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.
Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar pas lajmit të ndalimit të hyrjes në SHBA të ish-drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Nexhat Krasniqit dhe familjes së tij.
Ambasadori amerikan në platformën “X” ka shkruar se ky është konfirmimi se si trajtohet korrupsioni në shtetin amerikan.
“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, ka shkruar Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara po e cilësojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.





























































