Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së kreut të Republikës Srpska në Bosnje Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili kërkonte që Kosova, Mali i Zi dhe Republika Srpska t’i bashkohen Serbisë.
“Kanë kaluar tri ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
“Duhet të rrëfej, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt!”, thekson kryeministri Rama.
Kreu i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, deklaroi pak ditë më parë se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Republika Srpska, Serbia, Kosova dhe nëse një vendim i tillë është demokratik, edhe Mali i Zi.
“Jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, dhe serbët nuk duhet të zihen në befasi. Por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Republika Srpska, Serbia, Kosova dhe nëse një vendim i tillë është demokratik, edhe Mali i Zi”, u shpreh Dodik.
/Argumentum.al