“Duke reflektuar mbi mësimet e luftrave të kaluara, të krijohet një bindje se përsëritja e tyre në të ardhmen është e papranueshme”.
Një mesazh të tillë ka përcjellë me rastin e Ditës së Mbrojtësit të Atdheut, festës kombëtare të Federatës Ruse, ndihmës-atasheu ushtarak rus në Tiranë, gjatë një eventi special që ambasada ruse zhvilloi në kuadrin e saj.
“Populli ynë si asnjë popull tjetër kujton se çfarë çmimi ka paguar për të fituar Luftën e Dytë Botërore. Ne të gjithë kemi një borxh të pashlyeshëm ndaj atyre që kishin luftuar dhe punuar në prapavijë, si edhe ndaj partizanëve”, theksoi ai. Ndërsa shtoi më tej se sot e kësaj dite, forcat e armatosura të Rusisë janë duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit.
“Në të njëjtën kohë, po përballemi me kërcënime dhe sfida të reja, nga të cilat kryesorja është terrorizmi. Lidhur me këtë, do të doja të theksoja se aktualisht forcat e armatosura të Rusisë vazhdojnë luftën e suksesshme kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera ekstremiste në Lindjen e Mesme, jo vetëm në interes të vendit tonë, por në interes të gjithë njerëzimit”, e përfundoi mesazhin e tij përfaqësuesi i ambasadës ruse në Tiranë.
Ndërkaq, eventi në fjalë u shoqërua me një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, mes të pranishmëve të tij, ku përveç stafit të ambasadës ruse ishin edhe mjaft të ftuar nga shumë sfera të jetës shoqërore, institucionale, politike, fetare, mediatike, etj, në vendin tonë. Si edhe me një ekspozitë të veçantë me foto nga sektori ushtarak rus, por dhe një dokumentar të posaçëm, i cili përcolli mesazhe mbresëlënëse prej tij.