Me rastin e 21 majit që përkon me Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, shoqata “Komuniteti malazez në Shqipëri” në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut Tiranë dhe Institucionin e Komitetit për Pakicat Kombëtare organizuan hapjen e ekspozitës së piktorit të mirënjohur malazez Luka Lagator.
Në fjalën e tij të hapjes kryetari i kësaj shoqate dhe njëkohësisht dhe përfaqesuesi i minoritetit malazez në Komitetin për Pakicat Kombëtare z. Marinko Çullafiq i uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe në veçanti Prefektit të Tiranës z. Afrim Qendros që mundësoi me mbështetjen e tij realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Malit të Zi në Tiranë z. Danilo Brajovic, Kryetaren e Komitetit për Pakicat Kombëtare zj. Konstantina Beziani, përfaqësuesin e Drejtorisë së Dijasporës z. Zoran Gjukanovic, drejtorin e Galerisë së Artit z. Abaz Hado etj.
Gjatë fjalës së tij, Çullafiq theksoi rëndësinë e hapjes së një Qendre kulturore malazeze në Tiranë dhe për këtë kërkoi dhe mbështetje nga institucionet shtetërore në Malin e Zi. Në fund te aktivitetit Prefekti i Tiranës shtroi nje kokteil për të pranishmit dhe i ftoi të gjithë për të parë ekspozitën e piktorit malazez Luka Lagator. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datë 30 maj në Galerinë e Artit në Tiranë.
Këshilltari i përhershëm dhe përfaqësuesi i Drejtorisë së Dijasporës së Malit të Zi z. Gjukanoviq u prit në takime të veçanta nga Prefekti i Tiranës z. Qendro dhe kryetarja e Komitetit për Pakicat Kombëtare zj. Beziani.
Një ditë më parë z. Gjukanoviq bashkë me kryetarin e ZCGA-së Marinko Çullafiq dhuroi në emër të institucionit që përfaqëson një sërë librash të historisë, kulturës dhe gjuhës malazeze bibliotekës së Universitetit “Aleksander Xhuvani” në Elbasan.
/Argumentum.al