Nga Nertil JOLE*
Për dasmën e Princit Ludvig të Bavarisë me Princeshën Therese të Saksonisë në 12 Tetor 1810, qytetarët e Mynihut u ftuan të festonin duke konsumuar birra për nder të çiftit mbretëror në një fushë të madhe jashtë qytetit. Prandaj e quajtën “Festa e Tetorit” ose “Octoberfest”. Nga ajo kohë ky aktivitet masiv organizohet çdo vit në Mynih nga mesi i Shtatorit deri të djelën e parë të Tetorit.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “Festë” përkufizohet si një ditë e shënuar që kremtohet çdo vit për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme në jetën e një populli. Në këtë kuptim, mendoj se festat tona lokale duhet të kenë një pikëtakim me historinë, në mënyrë që ato t’i quajmë “Festa”. Për shembull, unë vetë nuk e di se cila ka qenë ngjarja e shënuar apo e rëndësishme që aktivitetin në fshatin Polenë ta quajmë “Festa e Lakrorit”. Domethënë, çfarë festohet?!
Ndaj, për të respektuar këtë logjikë, në shkrimin tim do i referohem kësaj ngjarje jo si “Festa e Birrës” por si “Ditët e Birrës”.
Ky event përfundoi dje dhe organizohet për të njëzetin vit radhazi në qytetin ku në vitin 1928 u prodhua birra e parë shqiptare me emrin “Korça”.
Nuk e di nëse kjo ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji në Ballkan, por edhe sikur të ketë qenë sa 0.1% e mesatares vjetore të pjesëmarrjes në “Octoberfest”, ajo për qytetin tonë është kthyer tashmë në aktivitetin më të madh argëtues të verës.
Qytetarë të Korçës, rajonit e nga gjithë vendi, por edhe të huaj, mblidhen për të kaluar disa netë argëtuese në Korçë. Kjo lidhet shumë natyrshëm me traditën e hershme korçare të prodhimit e konsumimit të birrës, e cila në këto dy dekada është zhvilluar në formatin e një aktiviteti artistik si pasurim i saj.
Efektet e saj janë padyshim pozitive. Më shumë vizitorë. Më shumë konsum. Më shumë rezervime. Më shumë promovim për qytetin dhe birrën e tij.
Madje, mendoj se do ishte me vlerë publikimi i një pasqyre me përllogaritje të hartuar sipas ndonjë metodologjie të caktuar, për ndikimin që “Ditët e Birrës” i sjellin ekonomisë tonë lokale. Kjo do t’i qartësonte qytetarët akoma më mirë për raportin kosto-përfitim. Nëse këtë informacion e ka organi i Këshillit Bashkiak, pse jo edhe vetë këshilltarët mund të bëjnë transparencë duke i përcjellë qytetarëve që i kanë zgjedhur një informacion.
Risia e këtij viti ishte organizimi i saj jashtë qytetit, te zona e dedikuar si “Poli i Eventeve”, një hapësire e re e investuar rishtazi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për organizimin e aktiviteteve artistike të përmasave më të mëdha.
Sidoqoftë, paçka se efektet e saj me siguri janë pozitive, është po aq e rëndësishme që banorët e bashkisë Korçë të njohin raportin e këtij aktiviteti me funksione apo shërbime të tjera që kryen apo ofron bashkia dhe peshën që ka në buxhetin e saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.
Si do të jenë 20 vitet e ardhshme për Korçën tonë?
Sigurisht përgjigjia nuk është aspak e thjeshtë. Por kam bindjen se konkluzioni i dy dekadave të ardhshme nuk do duhej të ishte ndërtimi i një “Poli të dytë Eventesh”, i cili do të jetë gati në Gushtin e vitit 2046 për 40 vjetorin e “Ditëve të Birrës”.
Nga ana tjetër, nuk mund të nënvlerësojmë as ndryshimet a pamohueshme që Korça dhe gjithë rajoni ka përjetuar në këto dy dekada. Por njëherazi mendoj se nuk ka më kohë për të humbur, që të gjithë bashkë të rikthejmë seriozisht vëmendjen te punët më prioritare dhe potencialet ende të pashfrytëzuara.
Janë ende temperatura të larta për të bërë analiza shterruese, por besoj se biem dakort që është më e rëndësishme për ta parë të ardhmen të lidhur me perspektivën e zhvillimit ekonomik, e cila duhet të mbështetet seriozisht te bujqësia, arsimi, industria e përpunimit të produkteve agro-ushqimore, modelet konkurruese të agro-turizmit dhe inovacioni si trend bashkëkohor për krijimin e sipërmarrjeve të reja.
E në fund, por jo për nga rëndësia, edhe te shfrytëzimi sa më maksimal i potencialit më të mirë intelektual, profesional, kulturor, artistik e sportiv të komunitetit tonë të mrekullueshëm.
*Nertil Jole, ish-Prefekt i Qarkut Korçë
© 2026 Argumentum



























































