Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka denoncuar në prokurori drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke kërkuar “Procedimin penal të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”- thuhet në kallëzimin e kryetares së Bashkisë Shkodër.
Ky kallëzim ndaj Policisë është bërë për moszbatim të ligjit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe për cenimin e pronës private e asaj publike.
“Kallëzimi penal është bërë për moszbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale”, thuhet në kallëzim.