Opozita jashtëparlamentare nuk ka vendosur ende se kur do të kthehet në tryezën e Këshillit Politik, por nga foltorja e Kuvendit Rudina Hajdari u bëri thirrje të mos e lënë Shqipërinë në dorë të socialistëve.
Hajdari: I bëj thirrje opozitë jashtëparlamentare, mos e braktisni atë tryezë, mos e lini Shqipërinë në duart e socialistëve! E latë kur i braktisët mandatet, e latë Shqipërinë në duart e socialistëve. Mos e lini më. Mos i lini bashkitë në duart e socialistëve, i latë në zgjedhjet lokale. Mos e bëni më këtë gjë! Hajdeni të luftojmë këtu në parlament, boll u bëmë peng e politikës së vjetër dhe pazareve.
Edhe pse dy partitë kryesore duket se i mbyllën derën, Rudina Hajdari është e bindur se fitorja e saj për ndryshimin e sistemit është shumë pranë.
Tashmë dihet që Ambasadorja Yuri Kim u ka sugjeruar përfaqësuesve të partivë në Këshillit Politik implementimin e sistemit danez në Shqipëri.
Sistemi i propozuar është proporcional rajonal me korrektim kombëtar me lista të hapura.
Sot shqiptarë nuk jemi vetëm, kam avokuar (ndikuar) bashkë me opozitën parlamentare, bashkë me shoqërinë civile dhe ja arritëm ditës. Ambasada amerikane bashkë me ndërkombëtarët janë duke i çuar këto ide përpara. Këtu duhet ndryshim sistemi sepse politika e vjetër e ka marrë pneg këtë vend, ne duam shpresë.
Hajdari nënvizoi se “ky vend ka marrrë fund sepse politika shqiptare ka marrë peng këtë vend për vite me radhë”.
Hajdari: Sot qytetarët shqiptarë duhet të ishin minimumi me një buxhet të paktën 50 mijë dollarë për çdo familje, është raporti qëe kam parë nga BB, sepse Shqipëria ka pasuri natyrore. Sot qytetarët shqiptarë nuk i kanë këto mundësi edhe pse jemi një vend i pasur me naftë, krom, me lumenj, me dete. Këto pasuri natyrore janë të grabitura nga 5 njerëz, ju i dini fare mirë. Prandaj qytetarët shqiptarë enden në rrugë dhe nuk kanë mundësi të mbajnë familjen e tyre në këmbë. Sot çdo shqiptar është me minus 3 mijë euro borxh.
Nuk të jepet mundësia të bësh absolutisht asgjë në këtë vend. Ne si opozitë parlamentare po luftojmë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.Thuajeni fjalën e lirë deputetë, keni 30 vjet në këtë sallë. Enver Hoxha ka vdekur në ’85, çfarë po bëjmë ne sot? Thuajeni fjalën tuaj, sot nuk ka njeri nga ju deputetë socialistë që të dalë te Teatri dhe të thotë pse nuk e mbroni një nga ju teatrin? Nuk ju vjen keq asnjërit prej jush se ju mban me litar kryetari i partisë suaj.