Në takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global Kundër ISIS, mbajtur dje në Uashington D.C, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vuri në pah rolin e vendit tonë dhe kontributin ndaj Koalicionit, si dhe konfirmoi se Shqipëria do të vijojë të jetë partnere e përkushtuar në mbështetjen e misionit të tij të luftës kundër ISIS.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të kontribuar aktivisht në luftën kundër ISIS-it dhe promovimin e shoqërive të hapura dhe harmonike ndërfetare”, nënvizoi ai.
Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në Takim, i cili shënoi 10-vjetorin e Koalicionit, u bëhet thirrje partnerëve që të tërheqin shtetasit e tyre që aktualisht gjenden në kampet e Al-Hojit dhe Rojit, si edhe vijimin e mbështetjes për forcat e sigurisë së Irakut, nëpërmjet vijimit të kontributeve në Misionin e NATO-s (NMI).