Kancelari gjerman Friedrich Merz u nis të premten drejt Afrikës Jugore për një udhëtim tre-ditor, me samitin e Grupit të 20-të (G20) në Johanesburg si pjesën qendrore të axhendës së tij diplomatike.
Merz pritet të marrë pjesë në punimet e fundjavës të samitit në Afrikën e Jugut, pavarësisht mungesës së disa liderëve të profilit të lartë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, homologun kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin. Mungesa e tyre ka dominuar diskutimet përpara takimit, duke ngritur pyetje rreth dinamikës së re të forumit.
Kancelari gjerman do të udhëtojë më pas drejt Angolës për samitin BE–Bashkimi Afrikan që do të mbahet në Luanda, duke shënuar udhëtimin e tij më të gjatë jashtë vendit që prej marrjes së detyrës në maj.
G20 në kontinentin afrikan
Samiti i këtij viti, i pari që zhvillohet ndonjëherë në Afrikë, shihet nga Berlini si një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e G20-s – një forum që fitoi peshë globale pas krizës financiare të vitit 2008 dhe që mbledh 19 ekonomi kryesore, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan.
Për Merz, ky është debutimi i tij në skenën e G20-s si kancelar, duke i hapur rrugë një sërë takimesh dypalëshe, përfshirë edhe me liderë që ai ende nuk i ka takuar.
Megjithatë, takimi me presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva mund të rezultojë sfidues. Komentet e mëparshme të Merz mbi qytetin Belém – pritës i konferencës së ardhshme të OKB-së për klimën (COP30) – janë kritikuar gjerësisht në Brazil, duke nxitur një reagim të fortë nga Lula, i cili krahasoi në mënyrë të pafavorshme Berlinin me qytetin amazonian.
Fokusi tek bashkëpunimi BE-Afrikë
Udhëtimi i kancelarit shërben gjithashtu për të përcjellë mesazhin se Afrika mbetet një rajon me prioritet për Gjermaninë, veçanërisht në aspektet ekonomike dhe të sigurisë.
Të dielën në mbrëmje, Merz do të mbërrijë në Luanda për samitin BE–Bashkimi Afrikan, ku pritet të marrin pjesë rreth 40 udhëheqës. Diskutimet pritet të përqendrohen në çështjet e sigurisë, menaxhimin e krizave dhe thellimin e partneriteteve ekonomike.
Kancelari do të shoqërohet nga zëvendësi i tij, Lars Klingbeil, kreu i Social Demokratëve të qendrës së majtë dhe njëherazi ministër i financave – një sinjal për bashkim politik në politikat gjermane ndaj Afrikës./dpa-argumentum.al




























































