Pesë deputetë të Partisë Socialiste i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.
Ata janë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho, të cilët do të kenë detyrën e vështirë që të përballen me personat e infektuar nga virusi e të kujdesen për ta.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa u bëri thirrje mjekëve që të bashkohen me stafin mjekësor, shtoi se “sa më shpejt ta fitojmë betejën, aq më shpejt i rikthehemi normalitetit”, në një status në Facebook.
Thirrje për Vullnetar nga Ministria e Shëndetësisë:
Situata e krijuar nga koronavirusi i ri është padiskutim një sfidë e një natyre të veçantë, që ka në zemër të saj bashkëpunimin e shumëanshëm me çdo individ. Në këtë çast, sistemi shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë.
Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës. E megjithatë, çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton të gjithë mjekë të licensuar, infermierë të licensuar, fizioterapistë apo teknik laboratori/ imazherie si dhe të gjithë studentët e degëve të sipërpërmendura që ndjehen të gatshëm të kontribuojë në menaxhimin e situatës, sot është pikërisht dita për ta dhënë atë kontribut.
Çdokush që mendon se mund t’i japë një dorë sistemit shëndetësor është i lutur të aplikojë sa më parë sepse sa më parë ta fitojmë këtë betejë, aq më shpejt do mund t’i rikthehemi rutinës dhe normalitetit të jetëve tona.
Adresa ku mund të aplikohet: http://shendetesia.gov.al/