Komisioni Europian vendosi sot krijimin e një rezerve strategjike shpëtimi për pajisje mjekësore, për t’i ardhur në ndihmë vendeve anëtare në betejën kundër pandemisë së Covid-19.
Pajisjet e kësaj rezerve do të përfshijnë ventilatorë, maska, vaksina dhe terapeutikë, si dhe pajisje laboratorike.
“Kjo rezervë strategjike evropiane shpëtimi do të përdoret për të mbështetur vendet anëtare që përballen me mungesa pajisjesh që nevojiten për trajtimin e pacientëve të infektuar, për të mbrojtur punonjësit e sistemit shëndetësor, dhe që ndihmojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit. Plani ynë është të lëvizim menjëherë pas miratimi të këtij akti.”
Rezerva do të funksionojë nëpërmjet tenderave publikë nga vetë vendet anëtare për nevojat më urgjente që kanë, me financim deri në 90% nga fondet e BE-së, si dhe do t’i japë përparësi zonave me nevojat më të mëdha sipas vlerësimit të situatës. Por për momentin Gjermania ka abstenuar në përfshirjen në këtë mekanizëm të ri.
Krahas rezervës së re evropiane, vendet anëtare janë tashmë në proçes blerjeje të pajisjeve të mbrojtjes vetjake, respiratorëve, ventilatorëve dhe mjeteve të nevojshme për testimin, nëpërmjet një tjetër mekanizmi të marrëveshjes së prokurimeve të përbashkëta.
Nuk dihet ndërkohë nëse kjo rezervë e re është e hapur ndaj vendeve të Ballkanit, nëpërmjet Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Sipas Komisionit Evropian, për momentin vetëm Serbia ka bërë kërkesë nëpërmjet këtij mekanizmi për ndihmë, dhe me këtë kërkesë po merret drejtoria evropiane e mbrojtjes civile dhe veprimeve humanitare.