Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe homologu i vet rus Sergei Lavrov zhvilluan një takim të martën, duke bërë thirrje për ruajtjen e rezultateve të fitores së Luftës së Dytë Botërore.
Wang vuri në dukje se të dy palët ranë dakord të mbështesin me vendosmëri rezultatet e fitores në Luftën e Dytë Botërore, të kundërshtojnë me vendosmëri çdo akt prapavajtës që përpiqet të fshehë agresionin kolonial dhe të bëjnë thirrje për mbështetjen e drejtësisë dhe barazisë.
Si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnere strategjike gjithëpërfshirëse të bashkërendimit për një epokë të re, Kina dhe Rusia duhet të vazhdojnë bashkërendimin e bashkëpunimin për të frenuar me vendosmëri aktet provokuese të forcave të ekstremit të djathtë në Japoni, që minojnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale dhe synojnë rimilitarizimin, shtoi Wang.

Foto nga MPJ
Lavrovi ritheksoi nga ana e tij se Rusia i përmbahet parimit të “një Kine” dhe mbështet fuqimisht qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit.
Rusia është e gatshme ta marrë 25-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor Rusi-Kinë vitin e ardhshëm si një mundësi për të intensifikuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të thelluar bashkëpunimin praktik, për të rritur shkëmbimet njerëzore dhe për të arritur rezultate të favorshme për të dyja palët, tha Lavrovi./CGTN





























































