Kryeministri i Maqedonisë së Veriut zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal.

Këtë e ka konfirmuar Kovaçevki përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Dje në orët e vonshme të pasdites zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal. I thashë se bashkëndjejmë me Ukrainën dhe në të njëjtën kohë admirojmë guximin me të cilin ukrainasit mbrojnë lirinë e tyre dhe sovranitetin e shtetit”, shkroi Kovaçevski.

Ai i ka thënë homologut të tij se politika e jashtme dhe e sigurisë së Maqedonisë së Veriut është plotësisht në përputhje me atë të BE-së dhe NATO-s dhe se është në koordinim të vazhdueshëm për të mbështetur Ukrainën.

“Ne jemi të gatshëm të pranojmë qytetarët e Ukrainës nëse ata kërkojnë strehim të përkohshëm në vendin tonë dhe ne jemi në kontakt për të gjitha aktivitetet e ardhshme të mbështetjes dhe ndihmës”, shtoi Kovaçevski.

Sipas deklaratës, kryeministri ukrainas Shmyhal shprehi falënderime në emër të qytetarëve të Ukrainës për mbështetjen dhe ndihmën e deritanishme.