Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën se ai po jepte dorëheqjen për të lejuar krijimin e një konsensusi të gjerë ndërmjet palestinezëve mbi marrëveshjet politike pas luftës në Rripin e Gazës.
Kjo sinjalizon një gatishmëri nga udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi për të pranuar ndryshime që mund të çojnë në reforma, të cilat shihen si të nevojshme për të rigjallëruar Autoritetin Palestinez.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Autoritet Palestinez të reformuar që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë organizatë terroriste.
Presidenti Mahmud Abbas duhet të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjen e kryeministrit Shtayyeh dhe Qeverisë së tij dhe mund t’i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm.
Në një deklaratë për qeverinë, Shtayyeh, një ekonomist akademik që mori detyrën në vitin 2019, tha se faza tjetër duhet të marrë parasysh realitetin e ri në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pas gati pesë muajsh luftime të rënda.
Ai tha se përveç aranzhimeve të reja politike, “duhet shtrirja e autoritetit të administratës (palestineze) në të gjithë vendin, Palestinë”.
Shtayyeh, i cili u emërua kryeministër në vitin 2019, i tha CNN në tetor se nuk mund të ketë zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez pa Shtetet e Bashkuara, por shtoi se administrata aktuale amerikane nuk ka vullnet politik për t’i dhënë fund konfliktit. . “Ata po e menaxhojnë atë,” tha ai.
Autoritetin Palestinez është gjithashtu shumë e papëlqyeshme në mesin e palestinezëve, të cilët e shohin atë si të paaftë për të ofruar siguri përballë inkursioneve të rregullta izraelite në Bregun Perëndimor. Një sondazh i kryer nga Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave në dhjetor tregoi se më shumë se 60% e palestinezëve duan që AP të shpërbëhet. Ndërkohë, mbështetja për presidentin Abbas, i cili mban këtë post që nga viti 2005, ka rënë. Në Bregun Perëndimor, 92% e të anketuarve duan që ai të japë dorëheqjen, sipas sondazhit.
Posti i kryeministrit në AP u vendos në vitin 2003, pas Intifadës së Dytë Palestineze (kryengritjes) pasi SHBA, Bashkimi Evropian dhe Izraeli kërkuan reforma. Kjo shënoi lëvizjen e parë reale drejt ndarjes së pushtetit nga presidenti i atëhershëm Yasser Arafat që nga themelimi i AP. Në atë kohë, Arafat emëroi Abbasin si kryeministër. Abbas mori postin e presidentit pas vdekjes së Arafatit në vitin 2004.
Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gaza pas luftimeve me Hamasin në vitin 2007.
/Argumentum.al