Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka pritur në një takim në selinë e Kryesisë së Kuvendit ambasadorin e Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se Nikolla përsëriti mirënjohjen e thellë për ndihmën e Türkiye-s, me iniciativën e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, për ndërtimin e Spitalit Rajonal në Fier (Spitali Rajonal Memorial) dhe 524 apartamenteve në zonën e Laçit, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Pas nënshkrimit të ‘Deklaratës së Përbashkët Politike’, partneriteti strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Türkiye-n po përparojnë, në shërbim të fqinjësisë së mirë, zhvillimit, stabilitetit dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Shqipëria dhe Türkiye janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë fuqimisht për të arritur objektivin e tyre kombëtar, anëtarësimin në BE”, është shprehur Nikolla.
Gjithashtu theksohet se gjatë takimit u diskutua edhe për “intensifikimin e bashkëpunimit të shkëlqyer parlamentar”, i cili sipas njoftimit nxit e mbështet bashkëpunimin dypalësh midis Shqipërisë dhe Türkiye-s, si edhe bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera midis të dy vendeve.
Ambasadori Atay është shprehur gjatë takimit se është një nder dhe privilegj i madh të shërbesh në Shqipëri, duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionale midis dy popujve.
“Ambasadori Atay përgëzoi kryetaren Nikolla për çeljen e negociatave të pranimit Shqipëri-BE dhe nënvizoi se do të kontribuojë për intensifikimin, zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve”, thuhet më tej në njoftim.