Kuvendi miratoi sot 2 pr/ligjet për aderimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë në NATO.
Kuvendi miratoi me 114 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim, projektligjin “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës”.
Kuvendi gjithashtu miratoi me 114 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim, pr/ligjin “Për Ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.
Duke iu drejtuar ambasadoreve të këtyre vendeve të pranishme në sallën e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se ky ishte një vendim i rëndësishëm i Kuvendit dhe natyrshëm edhe më i shpejti.
“Ratifikuam protokollet për aderimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, aleanca më e madhe që mbron më shumë se 1 miliard qytetarë në Europë dhe Amerikën e Veriut. Në kontekstin e ri gjeopolitik, anëtarësimi i Mbretërisë së Suedisë dhe i Republikës së Finlandës është një akt i duhur dhe një prej vendimeve më të rëndësishme të samitit të Madridit”, tha Balla.
Balla shtoi se Shqipëria është ndër vendet e para që ka marrë këtë vendim me kaq shpejtësi.
“Do të donim të ishim ne vendi i parë. Danimarka nuk di si i ka procedurat që e bëri më shpejt se ne. Po ashtu edhe Estonia, Britania e Madhe dhe Islanda, por e rëndësishme është që jemi ndër vendet e para. Dua ta mbani mend këtë kur të vijë për t’u ratifikuar në parlamentin tuaj anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ta bëni po kaq shpejt sa e bëmë ne sot”, tha ai.