Pas javësh të tëra spekulimesh intensive mbi shëndetin e Kim Jong Un, agjencia shtetërore e lajmeve koreano-veriore KCNA publikoi të shtunën fotografi të liderit të vendit teksa merrte pjesë në ceremoninë e përurimit t një fabrike në veri të Penianit, që është dhe shfaqja e tij e parë në publik që prej 11 prillit.
Kim shihet në foto duke buzëqeshur dhe duke iu folur bashkëpunëtorëve të tij gjatë ceremonisë, si dhe duke vizituar impiantin. Origjinaliteti i fotove, të publikuara nga KCNA, është i pamundur të verifikohet.
Së fundmi ka pasur spekulime të shumta mbi shëndetin e Kim, pasi ai mungoi në përvjetorin e lindjes së themeluesit të shtetit, gjyshit të tij Kim Il Sung, më 15 prill. Dita në fjalë është e një rëndësie madhore për Korenë e Veriut dhe për familjen e Kim në veçanti, që viziton rregullisht mauzoleumin ku prehet gjyshi i tij.
Pas mungesës në këtë përvjetor, një gazetë koreano-jugore, e specializuar në lajme mbi Veriun, shkroi se Kim ishte shtruar në spital pasi i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kardiovaskulare. Lajmi në fjalë u pasua nga një seri lajmesh të tjera mbi gjendjen dhe vendndodhjen e tij.